Lira turke "shkrin" pas konfliktit me SHBA, punët nuk janë hiç mirë për Erdoganin
Pëlqej
Lira turke ka hyrë në një fazë zhvlerësimi të shpejt prej disa muajsh duke bërë që brenda vitit ajo të humbasë 40 për qind të vlerës së saj.

Shpejtësinë e zhvlerësimit të saj e ka rritur edhe konflikti me SHBA-të, ku pas embargos ndaj dy ministrave të Erdoganit, administrata Trump ka paralajmëruar sanksione të rëja, tashmë kundrejt kompanive dhe personave të afërt të liderit turk, raporton Albeu.com.

Konflikti SHBA-Turqi shpërtheu pasi këta të fundit burgosen një prift evangjelist, Andrë Brunson, me akuzën e pjesëmarrjes në grushtin e debatuar të shtetit të korrikut 2016.

SHBA e ka cilësuar një peng të Erdoganit priftin në fjalë duke theksuar se nuk ka asnjë fakt kundër tij.

Vetëm ditën e djeshme, lira turke u zhvlerësua me 5 për qind ndaj dollarit dhe euros duke bërë që për të blerë një dollar, turqit të duhet të paguajnë 5.3 lira, ndërsa për një euro, 6.1 lira.

Këto tregues janë rekord që prej krizës së madhe të fillimit të viteve 2 000, e cila solli në pushtet islamistët e AKP.

Banka Qendrore e Turqisë ka ndërhyrë disa herë duke injektuar miliarda dollar në treg, por asnjë prej këtyre ndërhyrjeve nuk ka ndikuar në uljen e ritmit të zhvlerësimit të lirës.

Kjo situatë ka shkaktuar frikë të madhe në vend pasi shumë i tremben falimentimit të kompanive të mëdha dhe më pas bankave duke sjellë një situatë kolapsi financiar në Turqi. /albeu.com/
Shtuar më 07/08/2018, ora 16:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori