Pse Putin nuk ka nisur mobilizimin e dytë, për të cilin ushtria e tij ka kaq shumë nevojë?

Nga Anna Akage “World Crunch

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Një prilli ka qenë tradicionalisht data kur Rusia thërret të gjithë meshkujt e aftë për punë dhe që kanë mbushur moshën 18 vjeç që t’i bashkohen radhëve të rezervave të saj ushtarake. Këtë vit analistët e Kremlinit prisnin që të anulohej rekrutimi i zakonshëm për t’i hapur rrugën një raundi të dytë të madh të mobilizimit mbarëkombëtar për të mbështetur luftën në Ukrainë, ku ushtria ruse po has shumë probleme.

Megjithatë, 1 prilli erdhi dhe shkoi, dhe presidenti rus Vladimir Putin refuzoi sërish firmosjen e një mobilizimi të ri, edhe pse trupat e Moskës vazhdojnë të pësojnë humbje të rënda në front dhe Ukraina po përgatitet për një kundërsulm të ri këtë pranverë. Po përse Putin po vazhdon ta vonojë mobilizimin masiv?

Dhe çfarë nënkupton kjo qasje në lidhje me perspektivat afatgjata të Rusisë në Ukrainë? Reagimi i Kremlinit nisi me anën e kundërt të një drafti: trupat vullnetare. Media ruse raportoi muajin e kaluar se Kremlini u kishte dërguar një direktivë të fshehtë rajoneve me objektivin e nënshkrimit të kontratave të rekrutimit me 400.000 vullnetarë të rinj deri në fund të këtij viti. Rusët e zakonshëm po raportojnë fushata të reja agresive rekrutimi dhe mesazhe propaganduese që nga mesi i janarit, përfshirë premtimet për shuma të mëdha parash për ata që regjistrohen.

Dështimet e mobilizimit të parë

Për më tepër, thirrjet e rregullta për t’u paraqitur si rezervist nisën që të dërgoheshin përmes aplikacionit celular të shërbimeve shtetërore. Në fillim u kërkohej një vizitë personale në zyrat e rekrutimit, dhe më pas u bëhej presion të rinjve për t’u regjistruar për të shkuar dhe luftuar në vijën e parë të frontit.

Vështirësia e bindjes së rusëve të zakonshëm për t’iu bashkuar luftës në Ukrainë ka qenë një problem që daton që nga mobilizimi i parë i kryer në shtatorin e vitit të kaluar. Sipas të dhënave jozyrtare, rreth 200.000 njerëz u mobilizuan gjatë valës së parë, një shifër shumë më e vogël sesa objektivi prej 300.000 trupash.

Më pas u përdor edhe joshja me para, ku pagesa për një rekrut është gati 10 herë më e lartë se sa paga mesatare në disa rajone. Ndërkohë në kompanitë shtetërore u mbajtën rregullisht leksione mbi patriotizmin si pjesë e një fushate presioni social për t’u regjistruar në ushtri.

Nga ana tjetër, janë përdorur edhe taktika më brutale, si ajo e arrestimit të burrave në moshë rekrutimi në qendra tregtare dhe universitete, në daljet e metrosë apo në sheshe publike, duke i kërcënuar me gjoba dhe padi penale për shmangien e detyrimit ligjor për t’iu bindur thirrjes.

Një rreth vicioz

Por edhe me këtë sistem, Putini nuk arriti të grumbullojë numrin e nevojshëm të ushtarëve. Sepse shumë burra në moshën e rekrutimit u larguan nga Rusia për të shmangur mobilizimin. Në front, rezultati i valës së parë të mobilizimit u mat në viktima dhe dështimin për të përparuar më tej në territorin ukrainas.

Të paktën 150.000 rusë ishin vrarë deri në muajin shkurt, duke humbur pjesën më të madhe të territoreve të pushtuara. Betejat rraskapitëse për qytetet e vogla si Svatovo, Kamianka, Bakhmut dhe të tjera kanë zgjatur me muaj dhe i kanë marrë çdo ditë jetën qindra ushtrëve

rusë.

Kështu Putini duket se është i mbërthyer në një rreth vicioz: një mobilizim i ri mbarëkombëtar është i papëlqyeshëm për shkak të viktimave të shumta dhe problemeve në fushën e betejës. Por nëse dëshiron të ndryshojë rrjedhën e luftës, ai ka nevojë për më shumë trupa.

Sundimi totalitar i Kremlinit nuk do të ishte i paarsyeshëm nëse populli do ta mbështeste qeverinë. Por vala e parë e mobilizimit tregoi se me gjithë dashurinë për atdheun e tyre, pak rusë ishin të gatshëm të shkonin në luftë në Ukrainë.

Kjo qasje u ndikua shumë nga videot e tmerrshme që postonin në internet rekrutët, ku shfaqeshin ushtarë të uritur dhe të rreckosur që ankoheshin për kushte të tmerrshme, mungesë pagash, për komandantët e paskrupullt dhe ku shprehej zemërimi se po përdoreshin nga eprorët si mish për top.

Një dashuri kombëtare

Problemet kanë arritur deri në atë pikë, sa që edhe propaganduesit e Kremlinit kanë filluar të ankohen për organizimin e dobët dhe furnizimet e pamjaftueshme të ushtrisë. Përpjekja e dështuar e grupit mercenar rus Vagner, për të kompensuar mungesën e rezervistëve duke rekrutuar të burgosur rusë është ndoshta shenja më e qartë e dëshpërimit.

Siç deklaroi kohët e fundit një ekspert ushtarak, Andrei Piontkovsky, Rusia po lufton sot si Bashkimi Sovjetik 70 vjet më parë: me valë njerëzish, dhe jo me armë të avancuara. Atëherë si do të mundet Putini të ri0forcojë ushtrinë e tij? Si do të përballet ushtria e dobësuar ruse me ofensivën e afërt ushtarake të Ukrainës?

Pavarësisht kontrollit total të aparatit shtetëror, presidenti rus ka ende nevojë për dashuri kombëtare. Kur e nisi luftën, Putini u mori gjithçka elitës së tij mbështetëse: jahtet, pallatet, llogaritë bankare në parajsat fiskale. Pushimet në plazhet e Evropës apo edukimi i fëmijëve në SHBA nuk është më një opsion. E gjithë kjo e bën Putinin më të brishtë sesa mund të duket nga jashtë. Pasi pa mbarimin e efektit të mobilizimit të tij të parë, ai e di se i dyti mund të shkaktojë rrëzimin e tij nga pushteti.


Shtuar 6.04.2023 11:54