Lezha bëhet gati për hapjen e pjesshme të sezonit veror (VIDEO)
Edhe pse Shqipëri ka ende vatra të kuqe si pasojë e shpërthimit të pandemisë, tashmë kanë filluar përgatitjet për hapjen e sezonit veror 2020.

Kryetari i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka thënë se nëse situata me pandeminë COVID-19 vazhdon kështu me rënie të numrit të infektuarve si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, atëherë sezona do të jetë normale.

“Unë mendoj se do të ketë sezon turistik, megjithatë ne tani jemi të varur nga situata e pandemisë por Bashkësia e Lezhës po bën përgatitjet e veta bashkë me operatorët turistikë për të pasur një sezon optimal. Ne mendojmë se në qoftë se trendi i pandemisë edhe këtu edhe në Kosovë shkon kështu atëherë ne kemi shumë shpresë se do të jetë një sezon normale”, deklaroi ai në Zyrën e Ankesave në RTV Dukagjini.

Ndreu tha se përgatitjet janë duke u bëre në mënyrë që sezone verore të hapet më 18 maj.

“Të gjithë operatorët turistikë po përgatiten edhe gjithë pjesa e restoranteve mirëpret të hapet sezona më 18 maj. Ndoshta vendet më të penalizuara do të jenë ato të argëtimit, lokalet e natës”, deklaroi ai.

Ai tha se këtë vit primare do të jetë pastërtia në plazhe.

“Pastërtia do të jetë ne nivele të kënaqshme, dhe nuk ka më asnjë shans që të bashkëjetosh më mbeturina siç ka ndodhur herëve tjera. Janë paralajmëruar bizneset se nëse do të jenë shkaktar të ndotjes së ambientit, atëherë do të mbyllen bizneset e tyre”, pohoi ai.

Ndreu tha se janë duke bërë disa investime në mënyrë që Lezha të jetë ndër vendet më të mira në Shqipëri.
Shtuar më 08/05/2020, ora 16:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori