Lenarçiç takim me Topin: Të respektohet ligji
Drejtori i Përgjithshëm i ODIHR-it, Janez Lenarçiç gjatë një takimi me presidentin Bamir Topi në kuadër të monitorimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit u shpreh se “Kodi Zgjedhor përbën një themel të kompletuar teknik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, porse ajo që nevojitet më së shumti është angazhimi i partive politike për të respektuar qëllimin e ligjit”.

Lenarçiç e informoi Topin për punën konkrete dhe monitorimet që do të vijojë të kryejë misioni i vëzhguesve në rang vendi dhe për raportin paraprak me të cilin ODIHR-i do të dalë në përfundim të këtyre zgjedhjeve vendore.

Kreu i ODIHR-it vuri në dukje se respekti për institucionet e shtetit, shprehja e maturisë dhe e ekuilibrit është e një rëndësie jetike për të sotmen dhe të ardhmen integruese evropiane të Shqipërisë.

Ndwrsa nga ana e tij kreu i shtetit Topi vlerësoi angazhimin dhe punën e pakursyer të ODIHR-it me dërgimin e një misioni të gjerë vëzhgimi, për të ndihmuar jo vetëm në mbarëvajtjen e procesit përgatitor të zgjedhjeve të 8 majit, por edhe në realizimin me sukses të tyre.

“Përfundimi i zgjedhjeve sipas rregullave ligjore e brenda standardeve demokratike, e sidomos pa incidente, mbetet me mjaft rëndësi për të ardhmen e vendit dhe të shtetasve shqiptarë, për forcimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e institucioneve shtetërore.” – u shpreh Presidenti Topi gjatë takimit. /albeu.com/

Shtuar më 08/05/2011, ora 12:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori