Leksione në shekullin e 21: Pse asnjë nga ne nuk është qendra e botës?!
Nga Oliverda Allmuça

Ndonjëherë e kisha gjetur veten duke kundërshtuar me forcë të vërtetën. Në një pikë, ndoshta të gjithë e bëjmë dashje, padashje. A thua se përballë pasqyrës nuk do të jenë të njëjtët sy ngjyrë hojesh, e njëjta buzë pa formë dhe faqet e mprehta. Të njëjtët flokë që përdridhen me njëri tjetrin më keq se ndjenjat brenda meje. Por sa herë që përballem me reflektimin e imazhit tim hollak në pasqyra dhe vitrina dyqanesh të shtrenjta, ndiej se nuk e zhbëj dot të vërtetën.

Yuval Harari thotë se njerëzit shpeshherë e harrojnë fare përulësinë dhe priren të besojnë, ashtu me kokën në re se janë qendra e botës, madje kultura nga ata vijnë, shtylla e historisë njerëzore. Në shekullin ku jetojmë këto pretendime janë shtuar duke ndikuar edhe në krijesat tona që riformësohen dita ditës. Ndoshta edhe në mua. Dhe kur refuzoj të besoj të vërtetën që qëndron stoike para meje, hap sytë për t’u përballur me këtë prekje të shëmtuar të kohërave që kanë ardhur. Unë nuk jam qendra e botës, as ti, as grekët e Homerit, as hindutë, as kinezët, aztekët dhe as amerikanët dhe britanikët.

Madje në "21 leksione për shekullin e 21" shkruhet se ky është një hamendësim i gabuar, i rremë dhe një kombinim i frikshëm i injorancës dhe mendjemadhësisë.

Ndaj ti nuk po mendon për mua sonte, madje askush tjetër. As librashitësi që në vend se t’i thoja faleminderit i thashë gëzuar. As ajo vajza me pallto ngjyrë gruri me të cilën u përplasa në rrugë padashje. As ai miku i vjetër që hasa pas kaq kohësh ulur në të njëjtën kafe me mua dhe bëri sikur nuk më pa. As ajo gruaja me flokët e ngritura lart në urban që i lëshova vendin. As shoqja ime e fëmijërisë të cilës i kisha dhuruar pas shumë kohësh setin e preferuar të librave. Madje as ai njeri për të cilin kisha rrezikuar gjithçka vetëm sepse zemra ime nuk dinte ç’bënte.

Askush, në momentin që unë kisha mbyllur qepallat dhe kisha ngrirë në ajrin e ftohtë të natës me një gotë xhin në duar nuk po mendonte për mua.

Sepse askush nga ne nuk është qendra e botës.

Por teksa i mendoja të gjitha këto dhe përballesha me atë që shpesh e kisha kundërshtuar me forcë, kuptova se isha konfuze edhe e tronditur.

Isha në rrugën e duhur!
Shtuar më 15/01/2021, ora 18:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori