Mister vrasja e emigrantes në Greqi, dyshime se i dashuri mund të jetë bashkëpunëtor në krim

Vazhdojnë hetimet në lidhje me vrasjen makabre të emigrantes polake në Greqi.

Trupi i 27-vjeçares, Anastazia Ruinska, u gjet të dielën në gjendje të dekompozuar në një zonë të shkretë, e mbështjellë me qese.

Mediet në Greqi raportojnë se mbetet mister mënyra se si trupi i të ndjerës u transportua në vendin ku u gjet e dekompozuar.

Sipas policisë është e pamunudur që ajo të jetë transportuar atje vetëm nga një person, i dyshuari kryesor emigrant nga Bangladeshi i cili është arrestuar.

Disa medie aludojnë se shtetasi nga Bangladeshi ka bashkëpunuar me të dashurin e  polakes për të transportuar trupin e saj të pajetë.

I dashuri i polakes është shoqëruar disa herë në polici, për t’iu përgjigjur pyetjeve të autoriteteve. Ka qenë pikërisht i dashuri i të ndjerës ai që ka njoftuar policinë për zhdukjen e Anastazias. Sakaq deklarimet e tij lënë për të dëshiruar.

Rezultatet e ekspertizës mjekoligjore pritet të hedhin dritë mbi hetimet për vrasjen makabre të 27-vjeçares fatkeqe.

Ngjarja e Abastazias risjell në vëmendje vrasjen tragjike të Karolinës, 19-vjeçares britanike e cila u masakrua nga bashkëshorti i saj, Babis Anagnostopoulos, në banesën e tyre në Athinë dy vite më parë./albeu.com/