Asgjësohen 5 mijë bimë kanabis në Shkodër, një i arrestuar dhe 6 në kërkim

Rreth 5 mijë rrënjë kanabis janë asgjësuar në Shkodër, teksa ka rënë në pranga një nga 6 personat që dyshohen si të përfshirë.

Në fund të kontrolleve tre ditore, policia asgjësoi 4180 bimë në fshatin Vajush, Malësi e Madhe; 697 bimë në fshatin Mali Kolaj, Shkodër; 75 bimë në fshatin Berishë e Vogël, Fushë Arrëz dhe 47 bimë në fshatin Repisht, Malësi e Madhe.

Në pranga ka rënë ., 54 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Gj. Gj., 27 vjeç, K. Gj., 24 vjeç, N. Gj., 21 vjeç, M. H., 26 vjeç dhe F. N., 33 vjeç, të gjithë banues në fshatrat ku u gjetën të kultivuara bimët narkotike.

Njoftimi i policisë:

Asgjësohen rreth 5000 bimë narkotike cannabis sativa në zonat malore në Shkodër, identifikohen 6 autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale. Vihet në pranga njëri prej tyre.

Si rezultat i fazës së gjashtë të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Alpe të pastra”, skuadra policie të 2 komisariateve të Policisë Shkodër dhe Malësi e Madhe, si dhe të Postës së Policisë Fushë Arrëz, të pajisur me disa dronë, gjatë 3 ditëve të fundit, kanë vijuar kontrolle masive në çdo skaj të territorit të qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e tentativave për të kultivuar bimë narkotike.

Në kuadër të kësaj faze, u asgjësuan në total 4999 bimë narkotike cannabis sativa, prej të cilëve: 4180 bimë në fshatin Vajush, Malësi e Madhe; 697 bimë në fshatin Mali Kolaj, Shkodër; 75 bimë në fshatin Berishë e Vogël, Fushë Arrëz dhe 47 bimë në fshatin Repisht, Malësi e Madhe.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur identifikimin e 6 autorëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike. Prej tyre, u vu në pranga shtetasi P. Gj., 54 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit Gj. Gj., 27 vjeç, K. Gj., 24 vjeç, N. Gj., 21 vjeç, M. H., 26 vjeç dhe F. N., 33 vjeç, të gjithë banues në fshatrat ku u gjetën të kultivuara bimët narkotike. Vijon puna intensive për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim.

Gjatë fazave të mëparshme të këtij megaoperacioni, janë asgjësuar në total 3270 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa, si dhe është identifikuar dhe shpallur në kërkim 1 shtetase, autore e dyshuar e një rasti të kësaj veprimtarie kriminale.

Megaoperacioni policor antikanabis “Alpe të pastra”, vijon.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore. /albeu.com

 


Shtuar 23.06.2023 12:18