"Lamtumira më e dhimbshme", zbulohet letra e fundit e Ennio Morricone
Përpara se të ndërronte jetë, artisti i madh Ennio Morricone paska shkruar nekrologjinë e vdekjes së tij, në një letër që është bërë publike vetëm pak orë më parë…Fjalët e tij, tingëllojnë kaq të ndjera dhe i dedikohen njerëzve më pranë zemrës dhe jetës së tij.

Maestro Morricone, fituesi i disa çmimeve prestigjioze, mes tyre edhe Oscar, kujton me mirënjohje dhe dashuri, njerëzit special në jetën e tij, nga bashkëshortja, tek fëmijët, nipërit e mbesat.

Dëshira e tij e fundit? Një funeral privat! Arsyeja? “Nuk dua të shqetësoj asnjeri”, shkruan mjeshtri i muzikës, artisti dhe dirigjenti Ennio Morricone, që u nda nga jeta në një spital të Romës mëngjesin e djeshëm.

Ky është teksti i nekrologjisë shkruar nga vetë Morricone:

“ENNIO MORRICONE ka vdekur! Kështu dua t’jua njoftoj vdekjen time të gjithë miqve që kanë qenë gjithmonë pranë meje dhe gjithashtu atyre që janë pak larg dhe i përshëndes me shumë dashuri. E pamundur që t’i përmend të gjithë! Por, një përshëndetje e veçantë është për Pepuçion dhe Robertën, miqtë e mi vëllazëror, shumë të pranishëm në vitet e fundit të jetës sonë.

Ekziston vetëm një arsye që më shtyn t’i përshëndes të gjithë si në këtë letër dhe të bëj një funeral tërësisht privat: Nuk dua t’ju shqetësoj!

Një përshëndetje e përzemërt për Inesin, Laurën, Sarën, Enzon dhe Norbertin, sepse kanë ndarë një pjesë të madhe të jetës me mua dhe familjen time.

Dua të kujtoj motrat e mia Adrianën, Marian, Frankën dhe të dashurit e tyre dhe t’u them se i dua shumë.

Një përshëndetje e fortë dhe e thellë për fëmijët e mi Markon, Aleksandrën, Andrean, Xhiovanin, nusen e djalit Monikën dhe nipërit e mbesat e mia Françeskën, Valentinën, Françeskon dhe Lukan. Shpresoj që ata ta dinë se i doja shumë!

E fundit, por jo më pak e rëndësishme (Maria). Unë po e ripërtërij dashurinë e jashtëzakonshme që na ka mbajtur së bashku dhe që më vjen keq ta braktis.

Lamtumira më e dhimbshme është për ty”, e përfundon kështu letrën e tij të lamtumirës mjeshtri i ndjerë, Morricone!
Shtuar më 07/07/2020, ora 11:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori