LAJMI I FUNDIT/ McCain arrin në Kosovë, takon Veselin
Senatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John McCain ka arritur në Kosovë në kuadër të vizitës dy ditore. Ai është takuar me kreun e Kuvendit të Kosovës Kadri Veselin, ndërsa pritet të takohet edhe me liderët e tjerë politikë.

Nga Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është bërë me dije se senatori amerikan do të nderohet me çmimin "Urdhri i Lirisë", çmim i cili pritet që t'i dorëzohet të premten dhe që ndahet për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për rolin e tij në thellimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-së.

Sipas agjenës, McCain do të takohet edhe me kryeministrin Isa Mustafa.

Të enjten pritet t'i drejtohet me një fjalim Kuvendit të Kosovës, i cili mblidhet në një seancë solemne pikërisht për senatorin amerikan.

Senatori republikan ka nisur nga 7 prilli një turne në Ballkanin Perëndimor, rajon ky, ku Rusia po përpiqet të rrisë ndikimin politik dhe ekonomik.

Gjatë vizitës në Sarajevë, McCain ka thënë se është i shqetësuar me ndërhyrjen e Rusisë në çështjet e brendshme të Bosnje dhe Hercegovinës.

Kurse, gjatë qëndrimit në Beograd, ku ka takuar presidentin e ri të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, McCain ka deklaruar se çdo gjë që ndodh në pjesën lindore të Evropës është e rëndësisë jetike për sigurinë e Shteteve të Bashkuara.

"Pas kthimit në Shtetet e Bashkuara, mesazhi për kolegët e mi në Senat, presidentin dhe popullin amerikan, është se çdo gjë që ndodh në pjesën lindore të Evropës është me interes jetik për sigurinë kombëtare të SHBA-ve", ka thënë McCain në Beograd.

Në deklaratat e bëra gjatë këtij turneu diplomatik, ai ka akuzuar Rusinë për bashkëpunim me Sirinë në kryerjen e një sulmi të dyshuar kimik.

"Rusët kanë qenë në dijeni për armët kimike, sepse kanë operuar saktësisht nga e njëjta bazë", ka thënë McCain.

Ndonëse ishte pritur, megjithatë ai nuk ka vizituar Maqedoninë.

Fakti që ky senator, me ndikim nga radhët e republikanëve dhe ish-kandidat për president, anashkalon Maqedoninë, është një porosi e fuqishme diplomatike për krizën në Maqedoni, kanë vlerësuar analistët.

Sidoqoftë, vizita e senatorit amerikan dhe ato të zyrtarëve tjerë të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor vlerësohen si tregues i përkushtimit amerikan për rajonin, në kohën e interesimit të Rusisë për të rritur ndikimin e vet në këtë pjesë të Evropës.

Kujtojmë se John McCain ka qenë kandidat republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2008, por ai ishte mposhtur nga demokrati Barack Obama. /albeu.com/

Shtuar më 13/04/2017, ora 14:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori