Pulë e gatuar me ilaçe… Sfidat e rrezikshme në TikTok, FDA paralajmëron të rinjtë: Kanë pasoja fatale

Fëmijët dhe adoleshentët çdo herë e më shumë po bëhen pjesë e sfidave të çuditshme dhe të rrezikshme në TikTok.

Mjafton që dikush të bëjë një sfidë si për shembull të konsumojë një detergjent dhe shumë të rinj të tjerë e pranojnë sfidën duke e kthyer në një trend. Kjo vazhdon derisa të dalë një tjetër sfidë që shumë herë ndodh që është më e rrezikshme se sfida paraardhëse.

Kjo ka bërë që FDA, Autoriteti shëndetësor amerikan të reagojë duke thënë se këto janë sfida të rrezikshme që lënë pasoja.

“Një trend i mediave sociale që mbështetet në presionin e bashkëmoshatarëve që keqpërdorin medikamente pa recetë dhe inkurajojnë të tjerët që ta bëjnë këtë gjithashtu është shumë i rrezikshëm. Këto sfida, të cilat shpesh synojnë të rinjtë, mund të dëmtojnë njerëzit dhe madje të shkaktojnë vdekje”, tha FDA në një paralajmërim.

Një sfidë e fundit e postuar në mediat sociale i inkurajoi njerëzit të gatuajnë pulë në një përzierje të acetaminofenit, dekstrometorfanit dhe doksilaminës, përbërësit bazë të shurupit NyQuil (shurup për kollën dhe ftohjen që jepet pa recetë) dhe disa produkteve të ngjashme për kollën dhe ftohjen.

“Edhe nëse nuk e hanë mishin e pulës, thithja e avujve të ilaçit gjatë gatimit mund të shkaktojë që nivele të larta të medikamenteve të hyjnë në trupin e të rinjve dhe mund të dëmtojnë mushkëritë e tyre”.

Agjencia gjithashtu vuri në dukje një sfidë të TikTok-ut ku njerëzit konsumonin doza të mëdha të difenhidraminës (ilaç për alergjitë) pa recetë për të parë çfarë bënin kur janë në efektin e këtij ilaçi. E quajtur “Sfida Benadryl”, FDA citoi raste të adoleshentëve që përfunduan në urgjencë ose vdiqën pasi morën pjesë.

Pse të rinjtë janë kaq të ndikueshëm?

Truri i adoleshentëve nuk është plotësisht i zhvilluar, sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë. Në fakt, korteksi parafontal, i cili menaxhon mendimin racional, zgjidhjen e problemeve dhe pasojat, nuk zhvillohet plotësisht deri në mesin e viteve 20. Kjo është arsyeja pse adoleshentët dhe të rinjtë janë shpesh impulsivë dhe më të prirur për të vepruar pa marrë parasysh pasojat, tha AAP.

“Fëmijët nuk do të ndalojnë të mendojnë se detergjenti i rrobave është një helm që mund të djegë fytin e tyre dhe të dëmtojë rrugët e tyre të frymëmarrjes. Ose që keqpërdorimi i medikamenteve si difenhidramina (Benadryl) mund të shkaktojë probleme serioze në zemër”, paralajmëroi AAP në faqen e saj të internetit.

“Ato fokusohen në pjesën se një bashkëmoshatar i tyre e bëri një sfidë dhe mori qindra ‘like’ dhe ‘komente’.

Duke marrë parasysh ndikimin masiv të mediave sociale në sjelljen e adoleshentëve, si mund t’i mbajnë prindërit fëmijët e tyre larg këtyre sfidave?

AAP sugjeron që prindërit të flasin me fëmijët e tyre për rrjetet sociale dhe tu shpjegojnë atyre pasojat e sfidave.

“Diskutojini ato sfida “me qetësi dhe pa gjykim” duke i inkurajuar të rinjtë të mendojnë për çdo rezultat të mundshëm negativ”.

Gjithashtu dhe FDA këshillon prindërit që të gjitha ilaçet pa recetë dhe me recetë ti mbajnë në një vend të sigurt, larg fëmijëve dhe adoleshentëve.

Nëse adoleshenti juaj duket se heziton të flasë për atë që ka parë, pyetni për miqtë e tyre. “Ndonjëherë fëmijët janë më të gatshëm të flasin për moshatarët e tyre sesa për veten e tyre”, vuri në dukje AAP./SI/