Lanë qytetin për fshatin, çifti nga Selenica: Kemi fëmijët dhe shtëpinë këtu, nuk ikim në Gjermani

Bashkëshortët nga qyteti, Majlinda dhe Pëllumb Nelaj prej 8 vitesh janë transferuar në fshat.
Në Mazhar të Selenicës ata merren me bujqësi dhe blegtori. Çifti Nelaj shpreson se duke punuar tokat e të parëve fëmijët e tyre nuk do marrin rrugën e emigrimit

“Po jeta më e vështirë sa nuk ka të vejë më. Ku të vemi, të ikim në Gjermani nuk ikim dot se jemi me fëmijë e shtëpi, t’i lëmë vjen e na i prish tjetri”, deklaroi. Duam në këtë punë të na ndihmojë shteti sa ka mundësi”, tha Pëllumb Nelaj për Top Channel.

Edhe pse kanë kaluar fatkeqësi nga zjarri i cili i ka djegur bagëti, lopë por dhe dhjetëra koshere me bletë, ata sërish kanë mundur të ngrenë nga e para punën me lopë dhe bagëti të imta.

“Mu dogjën gjashtë lopë, freza me korrëse bari, të gjitha. Mbeta me asgjë. Terreni është i vështirë, ka vuajtje. Ngrihemi që në katër t’i sigurojmë, marr qumështin e dërgoj në qytetin e Vlorës”, shtoi më tej ai.

“E kemi nisur nga a me çdo gjë, as ujë nuk ka këtu. Kemi hapur dy puse dhe po i mbajmë me ujë këto. Pastaj rruga, çdo gjë me shumë sakrificë. Punën e kemi vazhduar për të ushqyer fëmijët”, tha Majlinda Nelaj.

Kreu i njësisë administrative Arqile Resuli i cili shoqëroi ekipin për në këtë zonë të thellë, shprehet se këta njerëz janë heronj që kthehen në tabanin e vet.

“Unë do t’i quaja heronj këta njerëz, pasi jo vetëm ruajnë traditën dhe kthehen në tabanin e vet, këta njerëz nuk i gjejmë më. Ata duhen ndihmuar”, tha Arqile Resuli, kryetar i njësisë administrative Kotë.


Shtuar 8.04.2023 20:58