La gjithçka për ndeshjet e Botërorit, vetëvaret babai i dy fëmijëve
Pëlqej
Pas 44 vjecarit që vrau veten në Cërrik, pasi la rrogën në një lloto, një tjetër person vrau veten në Gjirokastër.

Ai u vetëvar në oborrin e kishës së fshatit të tij, gjatë mëngjesit të djeshëm në fshatin Mashkullorë të Gjirokastrës.

Ishin familjarët që e gjetën Florian Resuli të vetëvarur rreth orës 05:00.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Burime nga grupi hetimor, të cilat i referohen të dhënave të siguruara deri më tani, konfirmuan se 35-vjeçari po kalonte një situatë të rënduar psikologjike për shkak të vështirësive ekonomike.

Babai i dy fëmijëve të mitur kishte rreth tre muaj që ishte zhvendosur në Tiranë me familjen. Ai punonte si gdhendës guri dhe mermeri dhe me ato të ardhura që fitonte mbante të gjithë familjen.

Mësohet se një ditë përpara ngjarjes që tronditi bashkëfshatarët e tij, ai ishte kthyer në fshatin e lindjes, ndërsa gruan dhe fëmijët i kishte çuar në shtëpinë e prindërve të saj. Miq të afërt të viktimës kanë konfirmuar se 35-vjeçari kishte krijuar varësi nga lojërat e fatit .

Së fundmi, ai ishte orientuar edhe drejt basteve dhe skedinave për ndeshjet e Kampionatit Botëror të futbollit, çka e kishin zhytur atë në borxhe për shkak të humbjeve të skuadrave që konsideroheshin si të sigurta në kalimin në fazën tjetër.

Dyshimet më të forta janë për humbjen e një sasie të madhe parash në skedinat e futbollit, që përkeqësuan gjendjen ekonomike të familjes. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Grupi hetimor ka nisur të marrë në pyetje familjarët dhe të afërmit e viktimës, si dhe personat që patën komunikim ditët e fundit, për të zbardhur motivet e vërteta që mund ta kenë shtyrë atë drejt vetëvrasjes. Po kështu, po bëhet edhe verifikimi i komunikimeve të tij përmes aparatit celular.
Shtuar më 13/07/2018, ora 23:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori