Kush na i vrau familjarët?
Familjarët e viktimave të Gërdecit e kanë kundërshtuar ashpër vendimin e Gjykatës së Tiranës duke kërkuar që të zbardhet e vërteta e vrasjes së 26 personave. Në një deklaratë publike familjarët deklarojnë se ende nuk i është dhënë përgjigje pyetjes se kush i mori jetën 26 të afërmëve të tyre.

“Sot pas 4 vitesh seancash maratonë të sistemit të drejtësisë, më në fund është zbuluar se kush dëmtoi muret rrethuese të shtëpive, se cili shkaktoi dëm me anë të vjedhjes së municioneve, se cili falsifikoi dokument-at nga një zyrë e shtetit tek tjetra, por ngeli ende enigmë se cili vrau 26 veta nga të dashurit tanë” thuhet në deklaratë.

Dhënien e vendimit të sotëm, familjarët e viktimave e konsiderojnë, dhimbje të njëjtë me atë të vetë ngjarjes.

“Në u përballëm me vrasje në masë dhe si e tillë duhet të ishte gjykim në masë ndaj këtij krimi që na u shkaktua. Autorët e krimit ose nuk u gjykuan, si në rastin e Fatmir Mediut, ose nuk u dënuan për krimin kryesor, atij të vrasjes së 26 personave të pafajshëm. Ne kemi 4 vite që zgjohemi pa të dashurit tanë, por që nesër jemi të bindur se po zgjohemi të gjithë si shqiptar pa institucione shtetërore. Ky krim i shëmtuar i përket të gjithëve.”- vazhdon më tej deklarata.

Duke konsideruar se me këtë vendim, drejtësia nuk ishte vetëm e vonuar por në njëjtën kohë dhe e dështuar. Ato shtojnë se ky vendim tregoi se “jeta” për institucionet është e pavlerë, kur bëhet fjalë për njerëzit e thjeshtë. /albeu.com/
Shtuar më 12/03/2012, ora 14:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori