Kush është presidenti i ri maqedonas që mori edhe votën e shqiptarëve
Stevo Pendarovski është president i Maqedonisë së Veriut, sipas rezultateve të para zyrtare nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor në Maqedoni. Ai ka fituar 435.957 vota, apo 51,67% prej qytetarëve të dalë në zgjedhje.

Stevo Pendarovski është lindur më 3 prill të vitit 1963 në Shkup. Ai është politikan, profesor dhe analist.

Pendarovski është docent për siguri ndërkombëtare, politikë të jashtme dhe globalizim, në Fakultetin për Shkenca Politike në Universitetin Amerikan Kolexh-Shkup dhe ish-kandidat për President të Republikës së Maqedonisë.

Pendarovski, përcjell Telegrafi Maqedoni, pas mbarimit të arsimit të lartë, është emëruar udhëheqës i sektorit për analitikë në Ministrinë për Punë të Brendshme. Përskaj kësaj, për tri vite resht ka ushtruar edhe postin e zëdhënësit (ndihmës ministër për marrëdhënie me publikun), pranë MPB-së.

Nga viti 2001 është emëruar Shef i sigurisë kombëtare dhe këshilltar për politikë të jashtme në kabinetin e presidentit Boris Trajkovski dhe më pas dhe të kabinetit të Branko Cërvenkovskit.

Stevo Pendarovski gjithashtu ishte kandidat për president nga radhët e LSDM-së në zgjedhjet presidenciale të vitit 2014, ku u radhit i dyti me gjithsej 398.077 vota të fituara.

Pendarovski në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit 2016 ishte bartës i listës së LSDM-së dhe koalicionit në njësinë zgjedhore numër një, nga ku edhe fitoi mandatin e tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.

Më 7 dhjetor të vitit 2017, Pendarovski dha dorëheqje nga funksioni i deputetit pasi u emërua në funksionin aktual të tij si koordinator kombëtar për përgatitjen e Maqedonisë për anëtarësim në NATO.

Ndryshe, Pendarovski kundër kandidat në zgjedhjet presidenciale në rrethin e parë kishte Blerim Rekën u përkrah nga Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Gordana Siljanovskën, e cila ishte kandidate e OBRM-PDUKM-së. Në rrethin e dytë, Pendarovski është fitues me 58.600 vota para Gordana Siljanovska-Davkova.

Rethi i parë i zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut kishte dalje prej 41.7% te votuesve, kurse në rrethin dytë dalja u rrit dhe përqindja përfundimtare ishte 46.70%.
Shtuar më 06/05/2019, ora 08:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori