Situata në Veri, reagon Kremlini: Nuk po e shtyjmë Serbinë që të nxisë tensione në Kosovë

Kremlini hodhi poshtë pretendimet e Kosovës se Rusia po e shtynë Serbinë që ta destabilizojë situatën në Kosovën. Nga Kremlini thanë se Serbia vetëm po mbron të drejtat e serbëve etnikë.

I pyetur lidhur me deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, se Serbia, nën ndikimin e Rusisë, po synon të destabilizojë Kosovën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se “është krejtësisht e gabuar” që të flitet për ndikimin destruktiv rus.

Ministri Sveçla deklaroi më 27 dhjetor se Serbia është ndikuar nga Rusia kur ka marrë vendimin që të rrisë në nivelin më të lartë gatishmërinë luftarake të forcave ushtarake dhe policore.

“Deklarimet se Republika e Kosovës ka ngritur gjendje gatishmërie janë tërësisht të pavërteta dhe janë pjesë e propagandës së dyshes Serbi- Rusi”, tha ai, duke hedhur poshtë pretendimet e zyrtarëve serbë se Kosova po ashtu ka rritur nivelin e gatishmërisë luftarake.

Serbia ka mohuar se po tenton të destabilizojë Kosovën dhe ka argumentuar se po mbron serbët që jetojnë në Kosovë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi të martën se Serbia do të “vazhdojë të luftojë për paqe dhe kërkon një zgjidhje kompromisi”.


Shtuar 28.12.2022 11:46