Kurban Bajrami, Topi uron besimtarët
Pëlqej
Presidenti Bamir Topi
Presidenti i Republikës Bamir Topi uroi besimtarët myslimanë shqiptarë kudo që ndodhen Festën e Kurban Bajramit nëpërmjet një mesazhi dërguar Bashkësisë Myslimane Shqiptare dhe Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve:

“Të dashur besimtarë myslimanë kudo ndodheni, në Shqipëri dhe jashtë saj,
Me rastin e Festës së Kurban Bajramit ju uroj përzemërsisht shëndet, begati, mbarësi e harmoni në familjet tuaja, mes miq e njerëzisht të dashur, mes shpresës dhe gëzimit për një të ardhme më të mirë dhe të sigurt për ju dhe fëmijët tuaj!

Kjo ditë e shenjtë në kalendarin islamik i mbush zemrat e gjithsecilit besimtar mysliman me dëshirën për të kryer vepra fisnike, për t’i qëndruar pranë njëri-tjetrit me ndjenjën e mirëkuptimit, sakrificës dhe të solidaritetit, në ditë të mira e të vështira, me lutjen që besimi tek i Plotfuqishmi, respektimi i vullnetit të tij, të na ndihmojë, të gjithë ne shqiptarëve, për të kapërcyer sfidat më të vështira të jetës dhe për të ruajtur zakonet dhe traditat e paraardhësve tanë.

Unë besoj se vlerat e larta morale, mendimet e ndritura dhe qëllimet e dobishme, që karakterizojnë çdo besimtar të vërtetë, mund të luajnë një rol vendimtar në përballimin e atyre fenomeneve negative, që shpeshherë shfaqen në jetën e një individi, në jetën e një shoqërie, ashtu sikundër jam i bindur se ato do i shërbejnë synimit të përbashkët për ruajtjen dhe transmetimin në breza të trashëgimisë sonë të vyer të harmonisë dhe të tolerancës fetare, si dhe do i kontribuojnë zhvillimit të dialogut konstruktiv dhe bashkëpunimit në dobi të së ardhmes së popullit shqiptar.

Gëzuar Festën e Kurban Bajramit! Zoti i bekoftë familjet tuaja me paqe e lumturi!”
Shtuar më 15/11/2010, ora 20:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori