Kurban Bajrami, Tërnava pritje tradicionale
Pëlqej
Me rastin e festës së Kurban Bajramit, myftiu Naim Tërnava ka organizuar pritje tradicionale. Bashkësinë Islame të Kosovës e vizituan përfaqësues politik e institucional të Kosovës, të institucioneve ndërkombëtare si dhe korit diplomatik.

Ushtruesi i detyrës së Presidentit, Jakup Krasniqi ishte ndër të parët që ka uruar Myftiun e Kosovës, Naim Tërnava. Nga selia e Bashkësisë Islame, Krasniqi ka përcjell mesazhe paqeje e mirëkuptimi.

“Ne ishim të myftiu Tërnava për të shprehur urimet më të përzemërta në emrin tim, por edhe në emër të institucioneve, të cilat përfaqësoj dhe përmes Bashkësisë Islame, të gjithë qytetarëve mysliman t’u dëshirojmë fat, mirëqenie,begati dhe një jetë më të mirë”, tha Krasniqi.

Myftiu Tërnave priti sot edhe Kryeministrin në dorëheqje, Hashim Thaçin. Në këtë ditë feste, Thaçi shprehu optimizmin se shteti i Kosovës do të ketë vetëm ditë të mira.

“Kjo është një festë e bashkimit, e unitetit, e solidaritetit, e miqësisë, e vëllazërisë, e dashurisë dhe, unë, dua të besoj se për shtetin e Kosovës do të ketë vetëm ditë më të mira, mirëqenie më të lartë sociale. Prandaj, falënderojë edhe një herë Bashkësinë Islame për rolin e tyre konstruktiv në kultivimin e tolerancës në Kosovë”, ka thënë Thaçi.

Kreu i Prishtinës, njëherësh edhe kryetar i LDK-së, Isa Mustafa, përveç urimeve për këtë festë, e falënderoi myftiun Tërnava edhe për mesazhin e tij për zgjedhje, drejtuar dje qytetarëve të Kosovës.

“Falënderoj për gjithë atë çfarë Bashkësia Islame po jep për zhvillimin e tolerancës, për marrëdhënie të mira, të qytetarëve të Kosovës, jo vetëm në suaza të fesë myslimane, por për një koleracion të fortë të të gjithë besimtarëve në Kosovë. E falënderoj, po ashtu, për mesazhin që dha dje sa i përket zgjedhjeve dhe mirësjelljen që ne duhet ta kultivojmë gjatë zgjedhjeve”, ka thënë Mustafa.

Mesazh urimi përcjelli edhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Byhler. “Dëshiroj t’u urojë gjithë qytetarëve të Kosovës çdo të mirë për këtë festë të madhe. Uroj shëndet, lumturi dhe një Kosovë paqësore”, tha Byhler.

Në emër të Ipeshkvisë së Kosovës, qytetarët e besimit islam i ka uruar edhe Don Lush Gjergji.

“Kemi ardhur që vëllezërve dhe motrave tona, e Bashkësisë Islame, t’i urojmë nga zemra Kurban Bajramin, me dëshirën që festat tona të përbashkëta të përforcojnë edhe më tepër vëllazërinë tonë gjithë shqiptare dhe dialogun tonë ndër fetar, i cili ka një begati, traditë dhe kulturë shumë shekullore”, theksoi Don Lush Gjergji.

Në pritjen e sotme të myftiut Tërnava qëndruan edhe përfaqësuesit e partive politike, AAK, AKR, LDD. Ndërkohë që festën e Kurban Bajramit uruan edhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe ata të korit diplomatik në vendin tonë.
Shtuar më 16/11/2010, ora 14:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori