Kurti për “The Guardian”: Heqja e barrikadave mund të shkaktojë viktima

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur për gazetën britanike “The Guardian”, lidhur me situatën në veri të vendit. Ai u shpreh se barrikadat s’mund të tolerohen edhe shumë gjatë, duke shtuar se heqja e tyre mund të rezultojë të jetë e përgjakshme.

“Shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe se paqja e siguria do të jenë të qëndrueshme. Megjithatë, këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë nuk mund ta lejojmë përjetë. Pra, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mire”, ka thënë Kurti.

Kurti thekson se edhe Uashingtoni dhe Brukseli janë dakord për heqjen e barrikadave, por ata janë të shqetësuar se si do të përdoret kjo situatë.

Mendoj se shqetësimi i partnerëve dhe miqve tanë perëndimorë janë lidhjet e Beogradit me Moskën. Nuk e dimë se si mund të vihen në funksion në rast të rritjes së tensioneve drejt përshkallëzimit në veri.

Udhëheqësi kosovar u shpreh se shpreson që Serbia t’i bashkohet BE-së së bashku me Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

“Ka një luftë në Ukrainë, le të parandalojmë përhapjen. Pra, anëtarësimi në BE na ndihmon.”

Serbët në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada për më shumë se një javë, duke penguar lëvizjen e lirë të autoriteteve, pavarësisht thirrjeve të SHBA-së dhe BE-së për heqjen e tyre.