Kishin parkuar makinën në pedonale, shoferi dhe dy shokët e tij i hyjnë në “dru” policëve që i kishin vendosur gjobë

Foto ilustruese

Një gjobë e vendosur për parkim të gabuar në pedonalen e Bulqizës me sa duket nuk i ka pëlqyer shoferit dhe 2 pasagjerëve të cilët janë konfrontuar me policët.

Gjatë kontrolleve dhe monitorimit të vazhdueshem të çdo aksi rrugor në qarkun Dibër, punonjësit e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Bulqizë, kanë konstatuar të parkuar në pedonalen e qytetit, në kundërshtim me normat e Kodit Rrugor, një automjet tip “Land Rover” dhe menjëherë kanë plotësuar procesverbalin për konstatimin e shkeljes.

Burime nga policia bëjnë me dije se shtetasit E. L., Q. L. dhe I.L. (drejtuesi dhe pasagjerët në automjet), sapo kanë konstatuar punonjësit e Policisë, janë afruar dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit duke u shkaktuar atyre dëmtime të lehta në trup.

Në përfundim të veprimeve hetimore specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasit E. L., 36 vjeç; Q. L., 52 vjeç; I.L., 19 vjeç, banues në fshatin Dragu, Bulqizë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprime të mëtejshme.