Kryeministri Thaçi uron Ramën për mandatin e ri
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi uroi kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, me rastin e fillimit të punës së Kabinetit të ri qeveritar.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, Ju shpreh përgëzimet më të sinqerta me rastin e fillimit të punës së Kabinetit të ri qeveritar të Shqipërisë. Duke pasur në konsideratë vizionin dhe qëllimin tuaj të proklamuar për Shqipërinë Evropiane, dua të shpreh bindjen se Qeveria e Shqipërisë nën udhëheqjen tuaj do ta realizojë në plotëni këtë vizion jetik për të gjithë shqiptarët.

“Edhe me këtë rast, dua të shpreh gatishmërinë dhe vullnetin tim që bashkëpunimi mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë të thellohet dhe të konsolidohet edhe më tej, me theks të veçantë në fushën e zhvillimit ekonomik, të edukimit, të kulturës dhe në të gjitha sferat e bashkëpunimit ndërshtetëror. Agjenda e përbashkët e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë është agjenda evropiane e integrimit, prandaj jam thellësisht i bindur se bashkëpunimi mes dy qeverive tona do të ndihmojë në evropianizimin e plotë jo vetëm të vendeve tona, por edhe të rajonit në tërësi”, thuhet në telegramin e urimit. /albeu.com/
Shtuar më 16/09/2013, ora 14:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori