Kryeministri Berisha pret delegacionin e PE
Pëlqej
Kryeministri Sali Berisha
Kryeministri Berisha prit sot në takim delegacionin e deputetëve të Parlamentit Europian, të kryesuar nga Presidenti i Delegacionit për Europën Juglindore, zoti Eduard Kukan.

Kryeministri Berisha u shprehu europarlamentarëve mirënjohjen e thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme e miqësore që ata i kanë dhënë qeverisë shqiptare, Shqipërisë dhe shqiptarëve, në përpjekjet e tyre për t’u përafruar gjithnjë e më shumë me Bashkimin Europian dhe për heqjen e vizave. Në veçanti, Kryeministri Berisha e vlerësoi si ngjarje historike votimin nga Parlamenti Europian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Duke nënvizuar efektet e jashtëzakonshme transformuese të pesë viteve të fundit që reformat e ndërmarra drejt integrimit europian kanë pasur për Shqipërinë, Kryeministri i siguroi se për qeverinë shqiptare çdo hap drejt integrimit europian duhet të jetë tërësisht i bazuar në performancë e meritë, si interesi jetik ky i qytetarëve shqiptarë.

Europarlamentarët e falënderuan Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe vlerësuan punën e madhe dhe reformat e thella që qeveria shqiptare ka ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, të cilat kanë bërë të mundur edhe këto arritje të rëndësishme. Në veçanti, parlamentarët europianë e cilësuan si shumë të madhe punën e bërë për hartimin, përpilimin dhe prezantimin para Komisionit Europian të përgjigjeve të pyetësorit dhe theksuan se cilido qoftë opinion i Komisionit në këtë pikë, ai duhet parë si një inkurajim për arritjet e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, por edhe për reformat e ardhshme integruese.

Eurodeputetët e përgëzuan Kryeministrin Berisha për realizimin e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, çka bëri të mundur votën pozitive me shumicë dërrmuese në Parlamentin Europian dhe njëkohësisht, rikonfirmuan shpresën e tyre se edhe Këshilli Europian do të japë së shpejti konsensusin e tij, duke e shndërruar në realitet ëndrrën e shqiptarëve për lëvizje të lirë në hapësirën europiane.

Europarlamentarët vlerësuan gjithashtu infrastrukturat e rëndësishme të realizuara gjatë kësaj periudhe, si rruga e kombit Durrës-Kukës, çka mundëson lidhjen me Kosovën e rajonin në një kohë shumë të shkurtër dhe uruan që edhe në qytetet e mëdha të vendit si Tirana apo qytete të tjera të kenë mundësinë të shohin infrastruktura të kësaj cilësie, në të ardhshme.

Gjithashtu, europarlamentarët vlerësuan kontributin e Shqipërisë në shërbim të konsolidimit të paqes, stabilitetit, bashkëpunimit e miqësisë në rajon, si dhe rolin konstruktiv të moderuar e të rëndësishëm që Shqipëria ka luajtur dhe vijon të luajë për thellimin e këtij bashkëpunimi.

Gjatë takimit, Kryeministri Berisha bëri një ekspoze të reformave dhe arritjeve të rëndësishme të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, në luftën kundër krimit, korrupsionit, zhvillimit ekonomik, reformave në fushën e arsimit, shëndetësisë, privatizimeve, për transparencë, thjeshtësim dhe modernizim të procedurave për një qeverisje më të mirë, në kuadër të promovimit të Shqipërisë në moshën dixhitale, krijimit të klimës së përshtatshme për biznes e investime.

Me theks të veçantë, Kryeministri u ndal në arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe reformat e ndërmarra nga qeveria në këtë drejtim, që kanë çuar në reduktimin e ndjeshëm të korrupsionit dhe në dyfishimin në 5 vjet të të ardhurave fiskale e doganore, si prokurimet 100 përqind elektronike, eliminimi i lejeve dhe licencave, shtrirja gjithnjë e më tepër e procedurave ‘one stop shop’ dhe dixhitale etj.. Shqipëria sot, tha Kryeministri, renditet në çatinë botërore si vendi me prokurime 100 përqind elektronike, vlerësohet 27 përqind më lartë, sesa mesatarja e vendeve të OECD-së për lehtësirat në fillimin e biznesit dhe 25 përqind më lart përsa i përket investimeve ndërsektoriale.

Po ashtu, Kryeministri theksoi faktin se Shqipëria është një vend i sigurt dhe indiciet e kriminalitetit janë më të ulëtat, se mesatarja e vendeve të BE-së.

Në takim u diskutua edhe mbi situatën politike në vend, ku u vlerësua oferta e mazhorancës për hetimin e të gjitha çështjeve nga Komisioni parlamentar, përveçse atyre për të cilat ka vendim të gjykatave, si dhe gatishmërinë e mazhorancës për të votuar amendamentet që opozita do të sugjerojë për kuadrin ligjor për zgjedhjet e ardhshme, me kushtin që ato të jenë konsultuar paraprakisht me institucionet e OSBE/ODIHIR.
Shtuar më 04/11/2010, ora 14:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori