Krizë për armë? Stoltenberg bën thirrje për rritje të ndihmave ushtarake për Ukrainën

Vendet anëtare të NATO-s po kërkojnë mënyra për të përshpejtuar dërgesat e armëve dhe municioneve në Ukrainë, sot në një takim në Bruksel, ku pritet të diskutohet edhe çështja e ndjeshme e dërgimit të avionëve luftarakë në Kiev për t’i lejuar Ukrainës t’i rezistojë një offensive të re ruse.

“Prioriteti, nevoja urgjente, është t’u dorëzohen ukrainasve pajisjet e premtuara për të ruajtur aftësinë e tyre për t’u mbrojtur,” këmbënguli sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në deklaratat që u bëri gazetarëve përpara një takimi dy-ditor me ministrat e Mbrojtjen së vendeve të BE-së dhe SHBA-ve në Bruksel.

Ministri i mbrojtjes së Amerikës, Lloyd Austin u shpreh se një vit pas luftës aleatët janë më të bashkuar se kurrë:
Me unitet dhe urgjencë, ne do të japim përsëri mbështetjen që i kemi premtuar Ukrainës. Franca dhe Italia po punojnë për të siguruar një sistem të mbrojtjes ajrore SAMP/T. S

htetet e Bashkuara, Gjermania dhe Holanda po punojnë së bashku për të ofruar sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë. Ne do t’i japim kapacitete forcave të trajnuara ukrainase në mënyrë që ato të integrohen së bashku në fushën e betejës.”
Ndërkohë, sekretari Jens Stoltenberg u shpreh se lufta po kërkon gjithmonë e më shumë furnizime dhe po vë nën presion aleatët.

“Kjo është kthyer në një luftë rrënuese dhe rraskapitëse dhe për këtë arsye është gjithashtu një betejë logjistike. Kjo është një përpjekje e madhe nga aleatët për të qenë në gjendje të fusin municionin, karburantin, pjesët rezervë që nevojiten dhe duhet vlerësuar.”

Dërgimi i municioneve në Ukrainë po kthehet në problem pasi konsumi nga ushtria ukrainase është i lartë. NATO po përpiqet që fabrikat e saj të nxjerrin më shumë dhe aleatët po shohin planet për blerje të përbashkëta armësh, shpenzime më të larta për mbrojtjen dhe kontrata afatgjata. Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius tha se Berlini kishte nënshkruar një marrëveshje me prodhuesin Rheinmetall për të rifilluar prodhimin e municioneve për armët e mbrojtjes ajrore Gepard të dërguara në Ukrainë./Albeu.com.