Kreu i KLSH dhuron gjysmën e pagës deri në dhjetor, shkurtimet financiare për ''luftën'' ndaj Covid-19
Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit dhuron gjysmën e pagës së tij në kuadër të situatës së shkaktuar nga koronavirusi, e cila do i kalojë buxhetit të shtetit.

Në urdhrin e firmosur më 20 mars, kryetari i KLSH-së, Bujar Leskaj, ka hequr dorë nga gjysma e pagës së tij që nga muaji mars deri në dhjetor të këtij viti, pra për 10 muaj.

Në urdhrin e tij thuhet: Sektori i Financës të kryejë ndalesën nga paga në favor të buxhetit të shtetit të gjysmës së pagës mujore të kryetarit të KLSH-së. Ndalesa nga paga do të kryhet për periudhën Mars 2020 deri në Dhjetor 2020. Të bashkëpunohet me Ministrinë e Financave për kalimin e kontributit financiar në fondin e emergjencave për përballimin e situatës pandemike të shkaktuar nga Covid-19. Ngarkohet Sektori i Financës për zbatimin e këtij urdhri. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.

Ndërkohë KLSH ka marrë vendim për shkurtimin e fondeve buxhetore në favor të buxhetit të shtetit, për përballimin e fatkeqësisë natyrore nga pandemia e koronavirusit.

“KLSH ndërmori masa për analizën e situatës buxhetore duke rishikuar prioritetet në drejtim të orientimit të burimeve buxhetore në aktivitetet dhe veprimtaritë më të domosdoshme në kushtet e një regjimi të rreptë të administrimit ekonomik dhe eficent të fondeve”, thuhet në njoftimin ku theksohet se është vendosur pakësimi i fondeve për blerje makinash, pajisjesh kompjuterike, fondet e shpenzimeve operative të mirëmbajtjes pakësohen në vlerën 9 000 lekë, ose në 10% të buxhetit vjetor.
Në zërin “paga” janë kryer ndalesat në masën 50% të pagës së Kryetarit”.
Shtuar më 07/04/2020, ora 22:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori