Kreu i AK në Hamburg: "Pasaportë për çdo shqiptar"

Pas tubimeve në Vienë, Baden, Bruksel e Berlin, Aleanca KuqeZi ka mbërritur në Hamburg në fushatën e saj "Autokton, mbi 10 milion". Mes thirrjeve, mijëra emigrantë dhe aktivistë kanë pritur liderin e Aleancës KuqeZi Kreshnik Spahiu, i cili apeloi për nënshkrimin e Projektligjit "Pasaportë për çdo shqiptar" dhe "Vota emigrantëve online".

"Shqipëria sot ka një parlament të gjymtuar, ndërsa Kosova ende një shtet pa qeveri, sot më shumë se kurrë kanë nevojë për elitat e reja te shkolluara në perëndim. Jemi i vetmi komb në botë që valvisim disa flamurë dhe kemi disa himne. Ne qëndrojmë të bashkuar në sport, art, kulturë por qëndrojmë të ndarë aty ku fut hundët politika. Miliona shqiptarë si nënë Tereza, Rugova, Bekim Fehmiu lindën, jetuan, punuan dhe ndruan jetë si shqiptarë por Shqipëria kurrë nuk u dha pasaporta shqiptare. Miliona shqiptarë sot nuk votojnë dot se ne jemi i vetmi shet në BE që ua mohojmë të drejtën e votës gjysmës së popullit që jeton jashtë kufijve", deklaroi Spahiu.

Mes thirrjeve kuqezi dhe flamujve të lëvizjes Aleanca KuqeZi mbi 3000 mbështetës kanë nënshkruar peticionin që do i prezantohet Kuvendit Shqipërisë: "Pasaporta për çdo shqiptar në origjinë" dhe "Vota Emigrantëve online".

"E jona është Prishtina, E jona është Tetova, E jona është Presheva, E jona është ky bashkim i mrekullueshëm i shqiptarëve nga të gjitha trevat", thekson AK. /albeu.com/
Shtuar më 30/11/2014, ora 13:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori