Kosova hedh poshtë idenë për administrim ndërkombëtar
Edita Tahiri
Qeveria e Kosovës hodhi poshtë idenë për një administrim të përkohshëm të veriut të vendit. Zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri tha për Radio Kosovën se Kosova është vend i pavarur dhe po përgatitet t'i japë fund prezencës ndërkombëtare në territorin e saj.

Udhëheqësja e delegacionit kosovar në bisedimet teknike me Serbinë komentoi idenë e hedhur nga nënkryetari i AAK-së Blerim Shala për një administrim të përkohshëm ndërkombëtar për veriun, duke theksuar se plani i qeverisë është të forcojë sovranitetin në veri dhe të zbatojë Planin e Ahtisaarit edhe në atë pjesë të vendit.

Aksioni i qeverisë Thaçi për marrjen nën kontroll të dy pikave kufitare në veri të Kosovës, në Jarinje dhe Bërnjak ku serbët kontrabandonin lirshëm mallrat, nisi në 25 korrik, me dërgimin me urdhër të kryeministrit të forcave të Policisë Speciale të Kosovës.

Gjatë aksionit mbeti i vrarë polici Enver Zymberi, ndërsa forcat speciale u kthyen mbrapsht një ditë më vonë.

Mandej përmes marrëveshjes për vulat doganore në 16 shtator, këtë herë me mbështetjen e ndërkombëtarëve, të KFOR-it dhe EULEKS-it në doganat e Kosovës u vendosën doganierët dhe policët e Kosovës.

Por, edhe pse marrëveshja për doganat po zbatohet nga pala kosovare, një gjë e tillë nuk po vihet në jetë nga pala serbe, e cila po inkurajon ekstremistët serbë të veriut të betonojnë barrikadat e tyre nëpër të gjitha rrugët që të çojnë përdrejt dy pikave kufitare me Serbinë.
Shtuar më 03/10/2011, ora 10:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori