"Korrupsioni po kalb atdheun", Basha zbulon pse i duhet Ramës paketa anti-shpifje:
Kreu i opozitës, Lulzim Basha në rrjetin social “Facebook” ka reaguar me kritika të ashpra ndaj qeverisjes Rama.

Sipas tij kjo qeveri po shkatërron ekonominë e vendit.

Bazuar te raportimet e fundit nga “Transparency International” Basha thekson se kjo është një ndër arsyet se përse qeveria e kërkon me ngul dhe paketën anti-shpifje, pasi do t’i mbyllë gojën kujtdo medie që flet të vërtetën e hidhur të korrupsionit qeveritar

Postimi i Plotë

"Degradimi i skajshëm dhe kriminalizimi kapilar i qeverisjes Rama, është një realitet i hidhur që provohet qartë nga raportet më të besueshme profesionale të organizatave prestigjioze ndërkombëtare sikurse është Transparency International. Korrupsioni i kësaj qeverie po shkatërron ekonominë dhe po na kalb atdheun.

Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit të realizuar nga kjo organizatë, për shkak të qeverisjes aktuale, Shqipëria po pëson një përkeqësim dramatik të gjendjes së korrupionit duke zbritur edhe 7 vende të tjera vetëm gjatë vitit të fundit.

Në mesin e 180 shteteve të marra në shqyrtim për nivelin e integritetit, Shqipëria renditet në vendin e 106-të, në të njëjtin nivel me vende si Bregu i Fildishtë apo Mongolia.

Ja pse i duhet qeverisë Rama paketa ligjore “Anti-Fjalës së Lirë”, për të penguar daljen në shesh të korrupsionit masiv qeveritar që po përmbyt Shqipërinë." /albeu.com/

Shtuar më 23/01/2020, ora 12:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori