Projektligji, cilat janë kushtet për të mbjellë kanabis me leje në Shqipëri

Zbardhet projektligji i qeverisë për legalizimin e kanabisit. Në projektligj përveç ngritjes së Agjencisë Kombëtare për kontrollin e kanabisit e cila do të jetë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë parashikohen edhe kushtet e dhënies së licencës dhe lejeve për subjektet e interesuara.

Pranë Agjencisë Kombëtare për Kontrollin e Kanabisit do të ngrihet edhe Komisioni i Licencave që do të administrojë dhe verifikojë kërkesat që do të paraqesin subjektet. Ky komision do të vendosë edhe sanksione për ato subjekte që pajisen me leje dhe licenca por që shkelin kushtet ose dalin përtej kuadrit ligjor të përcaktuar. Licenca për çdo kompani të interesuar miratohet nga qeveria bazuar mbi disa kritere dhe procedura përzgjedhëse të organizuara nga Agjencia Kombëtare e Kanabisit. Kështu sipërfaqja totale e lejuar për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e madhe se 200 hektarë në rang kombëtar.

Gjithashtu licenca për aktivitetin e kultivimit jepet vetëm në sipërfaqe të hapura, të mbuluara ose sera. Sipërfaqja e njësisë së licencës të aktivitetit për kultivim të cannabis-it për qëllime mjekësore nuk mund të jetë më e vogël se 5 hektarë dhe jo më e madhe se 10 hektarë. Ky kufizim pritet të ndezë një luftë të fortë mes kompanive për t’u pajisur me licencë. Licenca për kompanitë jepet për një periudhë 15-vjeçare.

Në ligj janë vendosur kritere të forta për t’u pajisur me licencë. Kriteri i parë është që kompania duhet të ketë eksperiencë 3-vjeçare në kultivimin, prodhimin, përpunimin, qarkullimin dhe administrimin e bimës së kanabisit. Kompania ose aksioneri me 51% të aksioneve të shoqërisë duhet të jetë ushtrues i veprimtarisë së prodhimit të nënprodukteve të bimës së kanabisit në një nga 38 vendet pjesë të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik për të paktën 5 vite.

Subjekti duhet të jetë i pajisur me certifikatë të paktës së mirë të prodhimit lëshuar nga Agjencia Europiane e Barnave Agjencia Amerikane për Ushqimin dhe Barnat. Gjithashtu, kompania duhet të ketë një kapital jo më të vogël se 100.000.000 lekë.

Por për t’u pajisur me licencë, subjekti, administratori, anëtarët e organeve drejtuese, ortakët apo aksionarët nuk duhet të jenë në ndjekje penale apo në në gjykim për ndonjë vepër penale. Në raste shkeljesh do të ketë edhe penalitetet që janë gjobë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë, si dhe ndalimi i përkohshëm i kryerjes së veprimtarisë për një periudhë nga 6 muaj deri në 3 vjet. Ministri përgjegjës për shëndetësinë vendos për shfuqizimin e licencës nëse subjekti shkel në mënyrë të përsëritur kushtet e licencës.

Mes kritereve për të aplikuar për licencë është vetëdeklarimi për punësimin për të paktën 10 persona për çdo njësi, 2 prej të cilëve duhet të jenë punonjës të kualifikuar në fushën e farmacisë dhe agroinxhinierisë, me përvojë pune jo më pak se 3 vjet në fushën përkatëse.

Subjektet duhet të bëjnë një vetëdeklarim se pas vitit të tretë do të paguajë një tarifë vjetore të barabartë me 1,5 % të qarkullimit vjetor, por në çdo rast, jo më pak se 10,000,000 lekë. Gjithashtu Subjektet duhet të paraqesin garanci bankare në masën 10% të vlerës së investimit, si edhe të paraqesin vetëdeklarim se do të plotësojë të gjitha kërkesat për gjurmueshmërinë, sipas përcaktimeve të këtij ligji.


Shtuar 17.06.2023 10:41