Komunitetet fetare në Shqipëri dënojnë dhunën në Siri dhe në Irak
Pëlqej
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka reaguar fort lidhur me situatën në Lindjen e Mesme dhe për përpjekjet kriminale të grupit të ISIS në Irak.

Përmes një deklarate për mediat, KNFSH dënon ashpër aktet kriminale të grupeve terroriste dhe thotë se veprimet e grupeve kriminale nuk kanë aspak lidhje me parimet e fesë islame.

"Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dhe anëtarët e tij (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane) mbështetur dhe nga Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, po ndjekin me shqetësim situatën që po ndodh këto ditë në Lindjen e Mesme, në mënyrë të veçantë përndjekjen kriminale që terroristët e ISIS në Irak po ushtrojnë ndaj popullsisë lokale të krishterë, madje edhe ndaj myslimanëve dhe minoriteteve të tjera, e në mënyrë mizore përndjekjen dhe dëbimin e detyruar me dhunë të të krishterëve irakianë dhe të irakianëve të feve të tjera prej vendit të tyre. Ne dënojmë me forcë akte të tilla kriminale që nuk kanë asgjë të përbashkët me parimet themelore të besimeve tona. Lusim Zotin i cili na ka krijuar të gjithëve që t’u kthejë paqen dhe dinjitetin atyre zonave. Në emër të Zotit kërkojmë të ulen armët e të kërkohet paqe dhe bashkëjetesë", thuhet në komunikatën e KNFSH-së.

Në këtë komunikatë, gjithashtu i bëhet thirrje Faktorit Ndërkombëtar që të gjejë zgjidhjet e duhura në mënyrë që të ndalet fenomeni i largimit dhe i shpërnguljes me dhunë të banorëve të Mosulit dhe të rrethinave për shkak të besimit të tyre.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë shpreh më tej solidaritet të plotë me të gjithë ata që vuajnë sot në luftërat e vendeve të Lindjes së Mesme, duke iu ofruar atyre lutjet dhe afërsinë shpirtërore. /albeu.com/
Shtuar më 11/08/2014, ora 09:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori