Çfarë do ndodhë nesër para Kryeministrisë? Kërkesat e protestuesve për rritjen e çmimeve

Një përrallë e stisur për të shmangur realitetin. Kështu i konsideron grupi Iniciator i protestës dhe grupet e interesit pretendimet e Ramës se protestat mbarëkombëtare kundër rritjes së çmimeve forcojnë Kremlinin.

“Ishte një përrallë e stisur nga kryeministri për të mos njohur faktin se kjo është një protestë e qytetarëve dhe jo e një pakice të zhurshme siç e quajti në fillim.”

Një ditë para protestës së thirrur, aktivistja Rezarta Çaushaj tregoi intinerarin që do të ndiqet.

“Protesta nis në orën 11 në sheshin “Skënderbej” dhe do të jetë një marshim si të shtunën e kaluar drejt Kryeministrisë. Më pas ne do të vlerësojmë bazuar dhe në përgjigjen e qeverisë nëse protesta do të vazhdojë duke qëndruar në shesh apo qeveria do të pranojë të negociojë. Deri tani qeveria ka reaguar, jo në mënyrën si kemi dashur. Shpresojmë të reagojë dhe më tej.”

Njëri nga skenaret është përshkallëzimi.

“Përshkallëzim do të thotë se ne do ulemi në sheshin para Kryeministrisë dhe nuk do të lëvizim. Kjo do të ndodhë nga e shtuna në varësi të përgjigjes. Protesta do të vazhdojë pa ndërprerje”.

Çaushaj insistoi se kjo është protestë e qytetarëve, e organizuar nga ata dhe për problemet e tyre.

“Nuk do reshtim së protestuari. Protesta nuk do të ndalet derisa qeveria të trajtojë me dinjitet qytetarët e saj”.

Kërkesat e protestuesve

-Heqja e taksës së qarkullimit dhe pezullimi i barrës fiskale mbi çmimin e karburantit

-Pezullimi i TVSh-së për produktet bazë të shportës

-Zgjerimi i skemës së kompensimit dhe mbështetjes për fermerët

-Një paketë reale ndihme për pensionistët, invalidët dhe familjet me ndihmë ekonomike për tejkalimin e krizës

-Hetim dhe mbikqyrje të koncesioneve dhe operatorëve ekonomikë që ndikojnë arbitrarisht në çmimet në treg, veçanërisht në sektorin e hiodrokarbureve

“Këto propozime dhe masa mbështeten në tre shtylla kryesore: Ulje e barrës fiskale, hetim dhe mbikqyrje për funksionimin e tregut dhe mbështetje për biznesin dhe shtresat në nevojë. Nëse qeveria është kokëfortë dhe nuk pranon të negociojë, këtë të shtunë, 19 mars, ora 11, të gjithë qytetarët nga e gjithë vendi do të jenë në protestë sërish dhe do të marshojnë nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë” tha grupi iniciator i protestës.


Shtuar 18.03.2022 11:48