Koment: Tweet-i i Trumpit - mbështetje për Merkelin nga Uashingtoni?
Pëlqej
Nga Jens Thurau

Për një gjë mund të jetë e sigurtë Angela Merkeli: për zjarr me batare nga Donald Trumpi. Haptas ndërhyn ai në mosmarrëveshjen për koalicionin në Gjermani. Interesin e tij për ta rrëzuar kancelaren, kjo më tepër e dëmton

Jemi mësuar me kaq shumë gjëra, sa edhe sulmi i fundit me twitter i Donald Trumpit në fakt nuk shokon askënd në Gjermani: Presidenti i SHBA bëri të ditur përmes rrjetit të twitterit se gjermanët, për shkak të politikës së migrimit "po i kthejnë kurrizin një koalicioni qeveritar tashmë të dobët". Dhe më tej: "Kriminaliteti po rritet në një shkallë të lartë në Gjermani". Kjo e fundit është gënjeshtër e pastër, por me siguri është pjesë përbërëse e mesatarisht çdo tweet-i të Trumpit.

Në kundërshtim me të gjitha rregullat diplomatike

Retorika agresive ndjek një model të qartë: Trumpi e ka përcaktuar Angela Merkelin si armiken e tij kryesore në Evropë. Nodshta, sepse ajo as u përpoq që të sillej me lajka me të, siç bëri Presidenti francez Emmanuel Macron. Ose sepse ajo kuptohej mirë me Barack Obaman, vetëm kjo mjafton për të ndezur zemërimin e Presidentit të SHBA. Në mënyrën se si e trajton Trumpi Merkelin (dhe me të Gjermaninë) bën pjesë dërgimi i Richard Grenellit, ambasadorit të ri të SHBA në Berlin, i cili fare hapur deklaron se do të mbështesë populistët në Evropë. Një tejkalim i ulët kompetencash i të gjitha rregullave diplomatike. Dhe tweeti i Trumpit vazhdon pastaj me një nivel të pashembullt për një President amerikan: Evropianët, shkruan Trump, kanë bërë gabimin që pranuan miliona vetë, të cilët e kanë ndryshuar dukshëm kulturën e tyre. Dhe më tej:"Ne nuk duam që neve të na ndodhë e njëjta gjë përmes imigrimit".

Dhe kjo thuhet për Amerikën, vendin ku më parë strehoheshin njerëzit në hall nga e gjithë bota, për kazanin e shkrirjes së kulturave, për këtë vend të fantazisë, i cili ka qenë për njerëzit ambiciozë nga Evropa për dekada vendi ku mund të ecje me punë - pavarësisht nga origjina ose statusi social. Vetëm po ta doje këtë dhe po të përvetësoje optimizmin amerikan. Prej këtyre amerikanëve gjermanët, fillimisht të Perëndimit morën pas 1945 si të thuash si dhuratë demokracinë dhe sundimin e ligjit. Tani të gjitha këto bëhen pre e tërbimit të këtij njeriu të egër në Uashington. Të mbushen sytë me lot.

Gjermania dhe Amerika - një raport ambivalent

Por sulmet e Trumpit ndaj qeverisë gjermane janë jo vetëm të paturpshme, por edhe të pamenduara: sepse raporti i ngushtë i gjermanëve ndaj Amerikës gjithmonë është edhe ambivalent. Dhëniet e mësimit nga Uashingtoni nuk janë pritur asnjëherë mirë në Gjermani, aq më pak nga ky President. Politika krahasimisht liberale e Merkelit ndaj refugjatëve ndërkohë shihet në mënyrë kritike nga shumica e gjermanëve ose refuzohet hapur, për këtë nuk të duhet të jesh populist i djathtë. Por mbështetja e krahëve nga burri që ka humbur rrugën në Shtëpinë e Bardhë për kundërshtarët e Merkelit më shumë do të ndihmojë kancelaren.

Ndoshta, tweeti i Trumpit, i lëshuar si gjithmonë herët në mëngjes para ngrënies së mëngjesit, gjithsesi sërish i drejtohet popullit të tij, njerëzve në Amerikë, të cilët Trumpi kërkon t'i mobilizojë para zgjedhjeve që zhvillohen edhe atje. Për këtë ai e ka të lehtë të marrë rolin e mësuesit ndaj aleatëve në Berlin. Sepse për këtë President nuk ka më aleatë, gjithsesi jo në Berlin./DW/
Shtuar më 19/06/2018, ora 16:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori