KOMENT/ Të nënshtruar apo fajtorë
Pëlqej
Nga Ervin Shkulaku/Kosovë

Termi demarkacion është termi më i kërkuar në google sipas një raportimi mediatik dhe kjo falë ish kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli. Arsyeja është e thjeshtë se këta me vite u përpoqën që ta ratifikonin marrëveshjen e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi, shkruan albeu.com

Më 26 gusht të vitit 2015 marrëveshjen e kanë nënshkruar, për palën kosovare, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiq, dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviq.

Dëshmitarë të nënshkrimit ishin kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kryetari i Malit të Zi, FillipVujanoviq, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

Në atë kohë Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, pas nënshkrimit të marrëveshjes përsëriti se marrëveshja është në "përputhje të plotë me Kushtetutën e vitit 1974, Dokumentin e Presidentit Ahtisaari dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës".

“Kjo është një ditë e rëndësishme për Kosovën, për Malin e Zi por edhe për tërë rajonin, që dëshmon se rajoni ka hyrë në një periudhë të bashkëpunimit dhe po ecën sigurt në rrugën e integrimeve euro-atlantike”, tha Thaçi.

E pas kësaj Veseli dhe Mustafa i nxirrnin zvarrë nga kuvendi deputetët e opozitës vetëm e vetëm që kjo marrëveshje të kalonte.

Mustafa i cili sakrifikoi deputetët e tij për këtë marrëveshje, Veseli që fliste me zyrtarët amerikanë për këtë marrëveshje e Thaçi që i vendosi firmën kësaj marrëveshje, me qindra herë kanë deklaruar se kjo marrëveshje e demarkacionit është e drejtë dhe e përfunduar, por, çuditërisht sot askush prej tyre nuk flet dhe nuk po kuptohet nëse janë nënshtruar nga Haradinaj apo ndihen fajtorë që i kanë humbur territor Kosovës?

E megjithatë nga ana tjetër një ndër deklarimet e para të Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj ishte se marrëveshja aktuale e demarkacionit me Malin e Zi është gabim dhe ai nuk u mjaftua me kaq por që në ditën e parë si kryeministër e shkarkoi Komisionin Shtetëror që e formuloi këtë marrëveshje.

“Nuk mundemi me ngec në këtë drejtim. Meqë i ka skaduar mandati Komisionit të kaluar propozoj që të shkarkohet, dhe Shpejtim Bulliqi t’i marrë përgjegjësitë për ta krijuar Komisionin”, ka thënë Haradinaj, i cili këtë propozim e hodhi në diskutim para anëtarëve të kabinetit.

Vetëm me 2 abstenime të ministrave nga Lista Serbe dhe me mbështetjen e ministrave të PDK-së Haradinaj e shkarkoi këtë komision shumë të përfolur.

Por tashmë kjo është një situatë e re pasi në rast se kundërshtohet nga Mali i Zi do të thotë që për një kohë të gjatë nuk ka liberalizim të vizave për Kosovën me zonën shengen të Bashkimit Evropian, pasi në BE kanë përsëritur se me formimin e Qeverisë së re në Kosovë nuk ka ndryshuar asgjë lidhur me kushtet për liberalizim vizash.

Sipas BE-së, kanë mbetur dy kushte ende të papërmbushura, njëra për ratifikimin e Marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi dhe tjetra mbi dëshmitë për luftë të suksesshme kundër krimit të organizuar në nivel të lartë, që përfshin edhe vendimet e gjykatave. /albeu.com
Shtuar më 12/09/2017, ora 08:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori