KOMENT/ Demarkacioni po e mposht Shpejtim Bulliqin
Nga Ervin Shkulaku/Kosovë

Dikur ose më saktësisht kur ishte deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Shpejtim Bulliqi ishte i gatshëm për media në çdo kohë për të folur kundër marrëveshjes së shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi që mbështeste kryetari i tij, kryeministër në atë kohë Isa Mustafa, shkruan albeu.com.

Por tashmë Bulliqi i ulur në kolltukun e fitimtarit po preferon të rrijë larg mediave.

Albeu.com ia ka dërguar Bulliqit disa pyetje për ta pyetur si do ta zgjidhë çështjen e shumëpritur për qytetarët e Kosovës pasi është kushti parësor për tu plotësuar që të udhëtojnë të lirë në zonën shengen të Bashkimit Evropian.

E megjithatë, Bulliqi po rri indiferent ndaj mediave, duke lenë dyshime nëse ka ndonjë strategji për ta zgjidhur këtë “lëmsh” që ia heq vizat popullit të Kosovës.

Madje Shpejtimi, sot kryetar i Komisionit Shtetëror ka dalë kundër edhe ish profesorit të tij, akademikut Hivzi Islamit për të mbrojtur versionin e tij për marrëveshjen duke pretenduar se zgjidhej lehtë.

E pse atëherë nuk po e del të flasë se ç’po ndodh me këtë marrëveshje dhe a kanë filluar bisedimet me palën Malazeze ?

“Florim ISUFI dhe Shpejtim BULLIQI, ish-studentët e mi, më vonë dhe bashkëpunëtorë e kolegë, nuk i dija për ekspertë për kufij, me njohuri teorike, nuk kisha parë të ishin marrë me këto çështje dhe të kishin zhvilluar hulumtime në zonat kontestuese në terren”, kishte shkruan ndër tjera akademik Hivzi Islami në një shkrim të tij duke u përfshirë kështu për herë të parë në debatin rreth demarkacionit.

Ndërkaq, siç pritej kjo çështje nuk është e lehtë për kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. Kjo u duk qartë në një konferencë për media i cili nuk e duroi dot këtë pyetje dhe shpërtheu në akuza ndaj gazetares. Por pasi në rrjetet sociale gazetarja mori mbështetje, atëherë qeveria u përpoq të tërhiqte vëmendjen e publikut duke dënuar përpjekjet e Koresë së Veriut për tu pajisur me armë bërthamore.

E megjithatë kjo çështje ka për tu rikthyer shumë shpejt në aktualitetin e Shpejtim Bulliqit dhe Ramush Haradinajt pasi Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrika Lunacek dhe Ambasada Amerikane kanë theksuar rëndësinë e përmbushjeve të kritereve për liberalizimin e vizave me zonën shengen të Bashkimit Evropian./albeu.com/
Shtuar më 18/09/2017, ora 16:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori