Koliqi dhe Camaj spiun të UDB-së dhe CIA-s? Kristo i kthehet Tares: Ne mbetemi xhuxha para tyre
Vijon debati i shkaktuar nga Auron Tare, lidhur me dy shkrimtarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, që sipas tij ishin të lidhur dhe iu shërbenin shërbimeve të huaja të inteligjencës.

Tare shprehej se duke iu referuar shkrimeve dhe dokumenteve në arkivë, del se dy shkrimtarët kanë qenë të përfshirë në agjenci të huaja spiunazhi si UDB (Camaj), CIA, SIM etj.

Lidhur me këtë debat që vlon tashmë prej disa ditësh në mediat sociale, ka reaguar dhe pedagogu Erion Kristo, i cili shkruan se duhet ti jepet fund politikës së baltosjes, dhe të ndarjes së klasave. Kristo shprehet se vepra e tyre nuk mund të baltoses, pasi çdo individ ka dritëhijet e tij të së shkuarës.

Postimi i plotë i pedagogut:

Para shumë vitesh shkova në një aktivitet në Durrës, organizuar nga Poeteka në një qendër kulturore. Ishte In Memoriam për Martin Camajn. Nuk e kisha pëlqyer atë. Më dukej i errët dhe i rrëmujshëm. Fshehur pas frazave të kërkuara dhe simbolikave të sajuara. Shkova për respekt ndaj organizatorëve dhe ndaj figurës së tij. Aty mbajti një kumtesë miku im Behar Gjoka. Behari sikur fluturonte, aq shumë gaz po i jepte. Pastaj motra ime, aktore, recitoi disa nga poezitë e Camajt.

Isha shumë mosbesues. Duhej një njohje e thellë e gegnishtes për të përcjellë ligjërimin e tij poetik. Nuk ma merrte mendja që një vlonjate, ça bëre, mirëë, ta përkthente estetikën e rrallë të Camajt në emocion recitativ. Aty ishte zbulesa ime e Camajt. Me pak ndihmë nga Behari, ajo shkëlqeu. E pashë ndryshe veprën e tij. Ishte një ngjarje e papërsëritshme, organizuar bukur. Kontributi i Camajt në letërsi dhe albanologji është i pashoq. Mbaj mend gjithashtu që kam mbajtur një kumtesë vetë për Arshi Pipën. Mendje brilante pa asnjë pikë dyshimi. Kam shkuar shpesh te shkolla Ernest Koliqi e Ermal Hasimajt për të folur për letërsinë dhe kam mbetur i befasuar nga nxënësit.

Kjo ideja e baltosjes nuk më ka pëlqyer kurrë. Ata pak emra që kemi t’i ruajmë. Mjaft më me luftën e klasave. Le të merremi me veprat. Të mos bëhemi pjesë e luftës botërore të përdhosjes së statujave. Ju se keni idenë sa njerëz hyjnë e dalin nëpër ambasada. Kjo nuk i bën të gjithë negativë dhe antishqiptarë. Njerëz të kulluar as ka, as ka pasur. Ka njerëz me kontribute ose jo.

Të gjithë kanë dritëhijet e tyre. Le të shërbejë ky moment për t’iu kthyer kontributit dhe vlerave estetike të secilit. Mos harroni: ne mbetemi xhuxha para kokave të së shkuarës. Ne mund të rritemi vetëm po i lartësuam ata. Etj. Etj.
Shtuar më 08/07/2020, ora 11:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori