KLSH zbardh shkeljet e kryera nga Fullani për blerjen e ish-hotel Dajtit
Pëlqej
"Telashet" për ish-guvernatorin Ardian Fullani, duket se nuk kanë të sosur. Në kohën kur prokuroria po e heton për "shpërdorim detyre", lidhur me skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve në Thesarin e Shtetit, me shumë gjasë në ditët në vijim, pozita e tij ligjore do të rëndohet.

Njësia e Specializuar Task Force pranë Prokurorisë së Tiranës, ka nisur prej ditësh një hetim, lidhur me procedurën e blerjes së ish-hotel Dajtit, si dhe marrjen me qira të disa ambienteve nga Banka e Shqipërisë.

Në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilin prokuroria ka kërkuar zyrtarisht t’i vihet në dispozicion renditen të gjitha shkeljet e kryera gjatë procedurës për blerjen e “Dajtit” si dhe abuzimet financiare për rikonstruksionin e disa godinave të Bankës së Shqipërisë.

Vizion Plus, ka publikuar raportin e plotë të KLSH-së, ku evidentohen shkeljet, të cilat mund të përbëjnë shkak që ndaj ish-kreut të Bankës Qendore, Ardian Fullani të ngrihet një akuzë e re.

Sipas raportit të KLSH thuhet se ne këtë audit janë evidentuar shkeljet qe janë kryer me rikonstruksionin e tre godinave ne pronësi te Bankës se Shqipërisë, për te cilat janë tejkaluar afatet e ndërtimit e tyre. Për këtë, KLSH ka evidentuar se ne kontratat e lidhura me sipërmarrësit, nuk ka penalitete ne raste te tejkalimit te afateve, çka do te thotë kostot e qirave qe arrijnë qindra milionë leke, paguhen nga banka.

“Nga auditimi mbi zbatimin e kontratave të ndërtimit si: “Realizimi i disa punimeve shtesë në ndërtesën e re të DE”, “Realizimi i punimeve shtesë për rikonstruksionin e godinës qendrore dhe ndërtimin e kompleksit të ri të Bankës së Shqipërisë”, është konstatuar se janë tejkaluar afatet e përfundimit të punimeve. Gjithashtu ka rezultuar se, pavarësisht identifikimit të arsyeve objektive ose jo të mosrealizimit të kontratave brenda afateve, jo për çdo kontratë janë bërë ndryshimet e tyre për pjesën e shtyrjes së afateve me miratimet sipas kompetencave. Në tenderin e realizuar “Realizimi i punimeve të prishjeve ndërtimore në godinën e ish-Hotel Dajtit”, është shtyrë procedura e tenderimit për arsye të mosplotësimit të kuorum-it. Relacioni i shkruar për shtyrjen e procedurës është mbajtur në formën e një Libri protokolli të mbledhjeve, i cili mbahet për periudha më të gjata se një vit. Komisioni i Prokurimit duhet të merrte vendimin për shtyrjen e procedurave të prokurimit dhe ta shoqëronte me procesverbalin përkatës. Kjo përbën shkelje të Rregullores së BSH “Për Procedurat e prokurimit në Bankën e Shqipërisë”, neni 40: “Vendimi për shtyrjen e procedurës së prokurimit për shkaqet e mësipërme duhet të shoqërohet me procesverbalin përkatës.”

Qe një vit me pare, KLSH i kërkoi Bankës se Shqipërisë qe te nxjerre përgjegjësit per këtë situate, pasi efekti i qëndrimit te stafit ne ambiente me qira ka një kosto shume te larte.

a. Për të gjitha rastet e identifikuara të kontratave të papërfunduara dhe me tejkalim të afateve, të analizohen shkaqet, të përcaktohen dhe kontabilizohen penalitetet që duhet t’i kërkohen sipërmarrësit për mosrealizim të punimeve në kohë apo ndërprerje që vonojnë realizimin e veprës.

b. Duhet të vlerësohet kostoja opportune e pagesave të qirasë të cilat vazhdojnë të paguhen nga Banka e Shqipërisë, ndërkohë që për kohën e shtyrjes së kontratave kjo kosto duhet t’i ngarkohet sipërmarrësit që nuk ka realizuar në kohë projektin ose në se janë fajtorë persona brenda BSH-së të përcaktohen këto përgjegjësi që efekti të mos rëndojë në rezultatin e Bankës.

c. Për rastet e justifikuara të hartohet dokumentacioni përkatës dhe të miratohen afatet për periudhat në vazhdim, duke vënë para përgjegjësisë palët kontraktore për realizimin plotësisht të kontratave të lidhura në cilësinë e kërkuar dhe kohën e përcaktuar.

Raporti sqaron me tej edhe përfitimet e padrejta te 16 punonjësve te Bankës Qendrore te cilët kane shkaktuar një dem prej 200 mije lekësh. Shpenzime te cilat kane qene te padokumentuara. Këtij demi i bashkëngjiten dhe shpenzimet pa kriter për dieta dhe shpërblime.
Shtuar më 12/09/2014, ora 20:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori