KLGJ interviston sot tre gjyqtarët për plotësimin e Gjykatës së Lartë
Këshilli i Lartë Gjyqësor njoftoi ditën e djeshme se procesi për plotësimin e Gjykatës së Lartë me tre gjyqtarë, është drejt fundit.

Në garë janë Sokol Sadushaj, Ilir Panda dhe Ervin Pupe të cilët do të intervistohen, vlerësohen dhe marrin pikëzimin e tyre përfundimtar për t’ia dërguar më pas Presidencës për emërim.

Presidenca duhet të bëjë emërimin brenda 10 ditësh. Nëse institucioni i Presidentit nuk bënë emërimin brenda 15 ditëve, atëherë kandidati shpallet i emëruar. Nëse Presidenti refuzon emërimin, atëherë dekreti i refuzimit të kandidaturës përkatëse i kthehet Këshillit të Lartë Gjyqësor që me shumicë votash, vendos rrëzimin ose rivlerësimin e kandidatit. Nëse Presidenti i Republikës nuk shprehet brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, atëherë kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën si anëtar i Gjykatës së Lartë”, shkruhet në njoftimin e KLGJ-së.

Kush janë kandidatët

Sokol Sadushaj, aktualisht është drejtor i Shkollës së Magjistraturës dhe kërkon që të jetë pjesë e Gjykatës së Lartë në fushën e të drejtës administrative. Sadushi e ka nisur detyrën si prokuror në vitin 1986 në Prokurorinë e Vlorës, ndërsa ndër vite ka punuar si pedagog dhe ka qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese.

Ilir Panda e ka përfunduar studimet në vitin 1986 dhe gjatë viteve ka qenë pedagog, avokat, specialist në institucionet e drejtësisë si dhe Ministër i Drejtësisë.

Ervin Pupe është kandidati i tretë, i cili është pedagog në Universitetin e Tiranës për të drejtën civile.

Shtuar më 27/02/2020, ora 10:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori