Kjo është situata e procesit zgjedhor në Ferizaj, Drenas, Gjakovë, Pejë e Gjilan
Pëlqej
Ganimete Konjufca, menaxhere e qendrës së votimit në shkollën ”Ahmet Hoxha” në Ferizaj, ka thënë se procesi i votimit ka filluar me rregull.

Konjufca ka thënë se në këtë pikëvotim, nuk ka munguar asnjë material apo ndonjë anëtar të cilët janë angazhuar për këtë proces të sotëm të zgjedhjeve lokale.

Është hapur edhe qendra më e madhe e votimit ne Komuën e Drenasit me gjithësej pesë pika votimi, Shkolla ‘’Rasim Kiçina’’.

Qendra e votimit është hapur në orën 07.00 dhe gjithçka ka filluar me rregull.

Tashmë kanë kryer obligimin e tyre qytetar edhe votuesit e parë në këtë qendër. Në këto orë të para të mëngjesit vërehet një fluks më i madh i votuesve.

Menaxheri i kësaj qendre, Shefqet Bytyçi, ka treguar për Klan Kosovën se në këto minuta të para gjërat po shkojnë ashtu si është planifikuar.

Në këtë qender votimi kanë të drejtë vote 4076 votues.

Kurse në qendrën më të madhe të votimit në Gjakovë, përkatësisht në shkollën “Yll Morina”, kanë filluar votimet me pak vonesë.

Kryesuesi i këtij vendvotimi, Berat Metullahu ka thënë se po shihet një disponim i mirë në këtë qytet për votime.

“Fluksi në krahasim me zgjedhjet e kaluara është më i madh dhe po shihet një disponim nga qytetarët”.

“Është gati është numri 17 mijë është rritur numri nga zgjedhjet e kaluara”, ka thënë Metullahu.

Ndërsa të gjitha vendvotimet në Pejë janë gati për votim, nuk është raportuar për vonesa dhe i gjithë materiali zgjedhor është shpërndarë në kohë.

Policia është prezente në qendrat e votimit për mbajtjen e rendit dhe sigurisë.

110.691 vetë kanë të drejtë vote në Pejë, në 24 qendra votimi, në 132 vendvotime.

Kurse shkolla “Abaz Ajeti” në Gjilan që është edhe qendra më e madhe e votimit në këtë qytet është hapur me kohë, pra saktësisht në orën 07:00.

Këtë e ka konfirmuar edhe menaxheri i kësaj qendre të votimit për Klan Kosovën, i cili ka treguar se në këtë qendër votojnë rreth 7532 persona me të drejtë vote.

Menaxheri i kësaj qendre ka treguar poashtu se gjithçka ka shkuar si duhet në hapjen e kësaj qendre të votimit dhe sjelljen e materialit jo senzitiv dhe senzitiv.
Shtuar më 22/10/2017, ora 07:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori