Investigimi i BIRN: Biznesmenët po humbasin pronat nëpër fajde, në lojë edhe noterët! Gazetari: Njëri nuk e di ku e ka fëmijën

Gjatë një shfaqje televizive në nëntor në televizionin informativ “ABC News”, gazetari veteran i kronikës së zezë, Artan Hoxha dha alarmin se grupet kriminale po bënin kërdinë, duke i përfshirë viktimat e tyre në skemat e dhënies së parasë me fajde në përqindje astronomike.

“Fëmija i një biznesmeni ka marrë 10 mijë euro dhe atij i kanë marrë 800 mijë euro dhe fëmijën nuk e di ku e ka”, tha Hoxha, ndërsa nënvizoi se sipërmarrësit po i marrin lokale, prona dhe vila.

Hoxha shpjegoi së në këtë skemë është përfshirë një grup i strukturuar kriminal, anëtarët e së cilit kanë qënë aktivë në Tiranë që prej viti 1997.

“Janë njerëz të skeduar nga policia,” tha ai, ndërsa shtoi se “ata korruptojnë brenda policisë dhe prandaj situata është e tillë”.

Edhe pse aktivitetet financiare të palicensuara ndalohen nga Kodi Penal, të dhënat, dokumentet dhe dëshmitë e siguruara nga BIRN tregojnë se fenomeni i parave me fajde është i gjithëpërhapur në Shqipëri.

Përveç krimit të organizuar, në këtë biznes të paligjshëm që shpesh mbështetet nga një rrjet i besuar noterësh ‘VIP’, sipas ekspertëve janë të përfshirë edhe politikanë të korruptuar.

“Në çdo qytet të Shqipërisë mund të gjesh dy-tre [fajdexhi] si në mesjetë, të cilët të ofrojnë në çast, ndoshta edhe pa asnjë letër, shuma të mëdha dhe besimin e bazojnë te gryka e revolverit,” shpjegon Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike.

“Kategoria tjetër e dukshme janë një numër politikanësh, të cilët kanë hyrë në politikë falë parave që kanë mbledhur nga postet e mëparshme apo në përfshirje kriminale,” shtoi ai.

Kredi kriminale

Sipas raportit vjetor mbi gjendjen e kriminalitet në vend që Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela lexoi në Kuvendin e Shqipërisë të enjten, gjatë vitit 2021 u regjistruan 14 procedime për veprën penale të ushtrimit pa licencë të veprimtarive financiare, e cila përfshin dhe dhënien e parave me fajde.

Ekspertët theksojnë se fenomeni i dhënies së parave me fajde shkon pas dekada në Shqipëri dhe është sofistikuar me kalimin e kohës.

Artan Gjergji, ekspert i lartë mbi tregjet financiare dhe themelues i bursës së parë të letrave me vlerë në Shqipëri me kapital privat, shpjegon se shpesh qëllimi i grupeve kriminale që përfshihen në fajde është falimentimi dhe marrja nën kontroll i bizneseve huamarrëse.

“Vendosin norma interesi jashtë logjikës ekonomike, duke parashikuar falimentin e biznesit që po kërkon hua dhe marrin garanci biznesin,” theksoi Gjergji.  “Qëllimi i tyre është të marrin biznesin, kur pronari nuk është në gjendje të kthejë huanë,” shtoi ai.

Bizneset i drejtohen tregut informal të fajdeve, sepse shpesh nuk arrijnë të plotësojnë kriteret e forta të bankave për kredimarrje ose kanë nevojë për qasje të shpejtë në likuiditet.

Një kontabiliste nga Tirana, e cila foli për BIRN në kushtet e anonimatit, tregoi se një klient i saj, i cili katër vjet më parë kishte hapur një biznes prodhues, ishte përballur një vit më parë me vështirësi dhe kishte marrë një hua me fajde me vlerë 80 mijë euro. Edhe pse ka paguar mbi 90% të kredisë, sipërmarrësi po përballet me kërcënime për jetën e tij dhe peripeci të mëdha.

“Kjo është skemë e mirëfilltë kriminale,” theksoi kontabilistja, ndërsa shpjegoi se “huadhënësit e kësaj kategorie funksionojnë në grup.”

“Peshkojnë me mënyra të njëjta, derisa të të rrjepin apo të të marrin biznesin,” paralajmëroi ajo.

Fajdet zakonisht jepen mbi bazë javore, mujore, tremujore ose vjetore. Kryesisht jepen me afate të shkurtra për çështje emergjence dhe me norma interesi që variojnë nga 5% deri në 10% në muaj ose 60% deri në 120% në vit.

Fabian Zhilla, ekspert me Iniciativën Globale Kundër Krimet të Organizuar Transnacional shpjegoi se nëse pagesa e fajdes nuk kryhet në kohë, huamarrësit u merret me dhunë biznesi apo aseti për të cilin është rënë dakord të paguhet kjo fajde.

“Dëmi në ekonomi vjen sepse është si aktivitet tërësisht informal, është i pataksueshëm, po ashtu fut në ekonomi automatikisht njerëz të botës së krimit,” tha Zhilla.

“Kur ti dështon të paguash mbrapsht fajden, ti do punosh për krimin e organizuar,” shpjegoi ai, ndërsa shtoi se kjo bën që anëtarët e krimit të organizuar të mbeten të paidentifikuar.

“Ai që ka marrë fajden vijon të rezultojë si pronar, por ndërkohë kompaninë e administron organizata kriminale,” shtoi Zhilla.

Tregu i fajdeve

Megjithatë, jo të gjithë huadhënësit që japin para me fajde janë anëtarë të krimit të orgnizuar. Një konsulent biznesi, i cili foli në kushtet e anonimatit i tha BIRN se shpesh kjo formë kredimarrje informale është e vetmja mundësi kreditimi për bizneset ‘start-up’ në Shqipëri.

Ai rrëfeu rastin e dy sipërmarrësve të rinj që kishin hapur një biznes prodhues, pasi kishin punuar disa vite në këtë industri për llogari të dikujt tjetër. Konsulenti shpjegoi se dy sipërmarrësit donin të ndërtonin një punishte – si fillim në një bodrum e më pas të zgjeroheshin dhe prandaj negociuan me një të njohur për t’i marrë një kredi 30 mijë euro, duke i ofruar një normë interesi vjetore disa pikë përqindje më të lartë se banka.

“Me shumë vështirësi tentuan të merrnin kredi nga sektori bankar, ishte e pamundur,” shpjegoi ai.

Sipas konsulentit, pas disa vitesh, dy ortakët arritën ta formalizonin biznesin dhe tashmë kanë të punësuar 10 punëtorë dhe kanë një punishte produktive me një portofol me 4-5 produkte. Aktualisht ata kanë dy kredi në banka të nivelit të dytë në vlerën 120 mijë euro dhe 10 mijë euro në tregun informal.

“Gjithë kohën i kam nxitur drejt zyrtarizimit të procesit, po paratë me fajde të fillimit ishin domosdoshmëri,” shpjegoi konsulenti.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se gjatë vitit pandemik 2020, sasia e parasë jashtë sistemit bankar në Shqipëri arriti vlerën rekord të 324.6 miliardë lekëve ose 2.6 miliardë euro.

Ekspertë të tregut financiar vlerësojnë se normat e ulëta të interesit për depozitat në bankat e nivelit të dytë mund të kenë nxitur huadhënien informale, pasi kreditorë kanë qenë në kërkim të interesave më të larta.

Rritja e raportit të parasë jashtë bankave dëshmon për një shumësi ekspertësh se jashtë kanaleve formale po qarkullojnë më shumë para, duke krijuar hapësira për një mbizotërim të mëtejshëm të ekonomisë informale, e cila favorizon evazionin fiskal dhe pastrimin e parave nga aktivitetet e jashtëligjshme.

“Sa i takon kufizimit të huave informale, apo shpesh dhe mekanizmit të fajdeve, Banka e Shqipërisë e konsideron atë pjesë të një problemi më të madh, i cili është lufta ndaj informalitetit,” shprehet institucioni më i rëndësishëm financiar në vend.

Të dhënat më të fundit të Bankës Botërore tregojnë se gati 35% e ekonomisë shqiptare është informale. Pjesë e ekonomisë së zezë është dhe huazimi i parave të thata në formë fajdesh.

Florian Zekja nga shoqata e Fasonëve shpjegon se fenomeni i fajdeve është një problematikë e hershme e tregut shqiptar dhe lidhet ngushtë më vështirësitë që kanë bizneset për të aksesuar kredi nga bankat.

“Arsyeja e parë është informaliteti, arsyeja e dytë është mungesa e ndihmës nga qeveritë e deritanishme dhe arsye tjetër janë burokracitë, vështirësitë që has biznesi me faktorët e riskut të bankave të nivelit të dytë,” tha ai.

Sipas tij, biznesi i drejtohet tregut të zi për të mbijetuar, për të mbajtur në këmbë atë pasuri të krijuar me vite – ku përfshihet eksperienca, klientela dhe punonjësit. Zekja thekson se ky treg është i shpejtë, nuk ka nevojë për kolateral, por që përqindjet janë marramendëse.

“Personat që disponojnë shumat e mëdha të parave që i ofrojnë si hua me përqindje mund të jenë persona normalë, të rregullt deri në rrjete kriminale që përdorin këtë trafik apo pastrim parash,” shpjegoi ai.

“Ka pasur raste që bizneset e kanë pësuar dhe kanë rënë pre e këtyre rrjeteve kriminale,” theksoi Zekja.

Roli i noterëve

Fenomeni i huave me përqindje mund të gjurmohet në zyrat e noterëve, por vetëm si principal. Në dokumentin e huasë nuk shkruhet kurrësesi interesi, sepse është i kundraligjshëm si aktivitet. Por palët bien dakord për një garanci të mundshme.

Një akt noterial i parë nga BIRN për huadhënien nga dy persona të një shume prej 45 mijë USD drejt një personi të tretë për nevoja biznesi, kishte si garanci për borxhin, hipotekën e shtëpisë së huamarrëses.

Një notere që foli për BIRN në kushtet e anonimatit shpjegoi se çdo ditë në Tiranë, në një rrjet noterësh të besuar, nënshkruhen kontrata fajdesh që shkojnë nga 10 mijë euro deri në 1 milion euro.

“Këto akte noteriale ndodhin çdo ditë, në të gjithë Shqipërinë, por në masë bëhen nga noterët e besuar që quhen noterët e VIPA-ve,” shpjegoi ajo.

“Ne të tjerët i bëjmë vetëm me të njohur, sepse sipas ligjit, jemi objekt raportimi pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave,” shtoi noterja.

Një tjetër noter, i cili gjithashtu foli në kushtet e anonimatit për shkak të ndjeshmërisë së temës, shpjegoi se ndër aktet ditore që nënshkruajnë, 20 për qind të volumit të punës e kanë kontrata huaje. Ai evidentoi gjithashtu ekzistencën e një tregu të mirëfilltë investimesh me para informale, ku ndërmjetës janë noterët.

“Persona që disponojnë shuma të mëdha parash, që i kanë krijuar jo në rrugë ligjore dhe i kanë jashtë sistemit bankar, na drejtohen që t’u gjejmë biznese që ata të investojnë të paktën 20 për qind të kapitalit,” shpjegoi ai, ndërsa theksoi se preferojnë të investojnë në fushën e ndërtimit dhe energjetikës.

Noterët janë një nga profesionet e lira, subjekte të ligjit ‘Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit’ dhe janë të detyruar t’i raportojnë transaksionet e dyshimta në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

“Nëse ne nuk raportojmë transaksionet që na duken të dyshimta, gjobitemi 5 milionë deri 20 milionë lekë,” shpjegoi noterja, e cila shtoi se jo të gjithë kolegët janë të barabartë në këtë drejtim, pasi disa prej tyre ‘i kanë gjetur fijet”.

“Ne na mbetet të raportojmë vetëm emigrantët, që të shkretët kanë punuar një jetë të tërë për një shtëpi,” përfundoi ajo.

Të dhënat nga Drejtoria e Pastrimit të Parave tregojnë se në vitin 2021 për 12 noterë është marrë masë administrative gjobë në vlerën e 3,8 milionë lekëve. Tipologjia e kundravajtjeve administrative të konstatuara për subjektet noteriale konsiston kryesisht në shkelje për mosraportim të transaksioneve në para fizike mbi pragun ligjor të parashikuar nga ligji në fuqi dhe moszbatim i detyrimit për kryerjen e vigjilencës së duhur.

Ekspertët sugjerojnë se lufta ndaj tregut të paligjshëm të fajdeve mund të fitohet vetëm me zhvillimin e sektorit financiar të ligjshëm.

“Nuk ka zgjidhje përpos rritjes, zhvillimit të sektorit financiar formal që t’i largohen tregut informal,” shprehet Artan Gjergji. “Duhet liberalizim i shërbimeve dhe institucioneve financiare,” shtoi ai.

Për sipërmarrësin Florian Zekja, zgjidhja e problemit arrihet me një strategji të mirëmenduar dhe afatgjatë të qeverisë, e cila mund të nisë me amnistinë fiskale, që sipas tij, mirë apo keq do të çonte në legalizimin e këtyre parave. Por ai mendon se duhet të ketë filtra dhe kritere të mirërregulluara nga qeveria.

“Pjesa e dytë do të ishte një bashkëpunim mes bizneseve, Bankës Qendrore dhe bankave të nivelit të dytë për të lehtësuar huamarrjen, për të lehtësuar procedurat e riskut që biznesin e vendosin në vështirësi të madhe dhe e bëjnë të drejtohet kah tregut informal,” tha Zekja.

Ndërkohë, kriminologu Fabian Zhilla vëren se kuadri ligjor për të luftuar këtë fenomen ekziston, por “minimizimi vjen nga hetimet proaktive’ të agjencive ligjzbatuese.

“Duhen hetuar burimet financiare të krimit të organizuar, apo të atyre që kanë para ‘cash’ dhe administrojnë ‘cash’,” tha ai, ndërsa shtoi se duhet pasur komunikim i drejtpërdrejtë me botën e biznesit për të krijuar linja raportimi të besueshme.

“Duhet një politikë më e mirë e agjencive dhe institucioneve ligjzbatuese për ta njoftuar në kohë dhe parandaluar fenomenin,” përfundoi Zhilla./BIRN