Vrasja e Pjerin Xhuvanit, Prokuroria kërkon dëshminë e Gazment Bardhit

Ka nisur sot seanca gjyqësore për Arbër Paplekajn, i cili akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit , i vrarë më 21 prill të 2021-it.

Gjithashtu sot janë duke u marrë në pyetje disa nga 59 dëshmitarët për këtë ngjarje.

Burime bëjnë me dije se Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar që në seancë të thirret edhe Gazment Bardhi në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e hetimit, por edhe si kryesuesi i listës së PD në Elbasan, ku ka bindje se nga ajo seli është dhënë urdhër për të qëlluar ndaj Pjerin Xhuvanit.

Si ndodhi vrasja

Përplasja me armë ka ndodhur për shkak të zgjedhjeve, ku dyshohet se një makinë e shtabit të PS-së është kapur nga mbështetësit e PD-së duke shpërndarë para në këmbim të votës.

Pas konstatimit të makinës është thirrur edhe policia, ndërsa shkëmbimi i zjarrit ka nisur fill pasi forcat “Shqiponja” mbërritën në vendin e ngjarjes. Pas përplasjes me armë është dorëzuar në polici ish-efektivi i RENEA-s Arbër Papleka, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj Xhuvanit gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Kush është Pjerin Xhuvani

Xhuvani u akuzua nga PD se ishte një ndër organizatorët e përplasjes fizike mes simpatizantëve të PS dhe PD Ditën e Verës në Elbasan.

Xhuvani është akuzuar edhe për laboratorin e drogës në Xibrakë të Elbasanit, ndërsa është njohur si activist i PS-së.

Ai ka qenë për disa vite kreu i LSI-së për Elbasanin duke drejtuar edhe Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimit të detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor Tiranë, dhe është prangosur 6 vite më parë pasi akuzohej se i shkaktoi dëm rreth 56 milionë lekë shtetit./albeu.com/