Kim Mehmeti: Politikanët shqiptarë po shesin shqiptarinë!
Dhjetëra e qindra kumanovarë janë tubuar dje, në një protestë paqësore.

Në këtë protestë, ka marrë pjesë, siç edhe kishte paralajmëruiar, edhe Kim Mehmeti.

Ai iu është drejtuar shqiptarëve me një fjalim, duke thënë se shqiptarët janë ata që duhet të vendosin për veten, pasi politika nuk bën gjë për ta.

“Nuk jemi mbledhur këtu që t’u tregojmë maqedonasve se sa të fortë jemi, por jemi grumbulluar këtu që t’i tregojmë këtij shteti se është i dobët dhe se nuk mund t’i kundërvihet vrullit të rinisë shqiptare. Ne nuk jemi mbledhur këtu të dëmtojmë pronat e të tjerëve, as të gjuajmë gur mbi policët. Andaj e porosis Gruevskin të mos harxhojë para për bomba lotsjellëse e shokuese, ngaqë ato kushtojnë shtrenjtë e populli është i varfër dhe ato para mund t’i përdorë për të paguar pensione e ndihma sociale. E porosis Gruevskin se aty ku protestojnë shqiptarët, nuk vlen gjë policia, andaj nuk ka nevojë për polic. Nuk munden këta qeveritarë të kenë aq bomba lotsjellëse sa neve të na e mjegullojnë shikimin e ta ngatërrojmë cakun e shqiptarisë me ndonjë të gabuar, e as aq bomba shokuese sa të trullosemi e të mos të dëgjojmë zërin e revoltës së rinisë sonë. Dhe sot do t’ia dëshmojmë këtë. Andaj ju them, protestoni të qetë. Ata që të paprovokuar hedhin gurë mbi policët, nuk janë me ne, ata të cilët nuk janë të prirë nga shqiptarizmi dhe urtësia, nuk janë me ne. Ne pra jemi grumbulluar këtu t’ua përcjellim një porosi edhe politikanëve tanë shqiptarë: se ata mund t’ia shesin vetveten kujt të duan dhe me çmimin që duan, por ata nuk guxojnë ta shesin atë që është e jona dhe që nuk shitet – shqiptarinë!”, tha Mehmeti në fjalën e tij. /albeu.com/



Shtuar më 10/07/2014, ora 12:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori