"Këtu duan vetëm lekë", motra e 60 vjeçarit që u hodh nga Sanatoriumi tregon telefonatën e fundit
Vëllai, motra dhe ish-bashkëshortja e të ndjerit Leonard Skabona, që i dha fund jetës duke u hedhur nga spitali “Shefqet Ndroqi”, kanë hedhur sërish dritë mbi ngjarjen.

Duke folur në emisionin “Me zemër të hapur” në “News 24” ata pohuan se gjendja e tij nuk ishte e rënduar, por se kishte dashur vetë të shkonte në spital.

Motra e tij tregoi edhe telefonatën e fundit me Leonardin, duke u shprehur se i kishte rrëfyer faktin që në spital i kërkonin para. “Unë kam folur për herë të fundit me të në 3 e 18 minuta në Viber. Më mori ai në fakt. Ajo ishte telefonata e fundit. Kam pas folur përditë se kishim lidhje shumë të afërt”, shprehet ajo.

E pyetur se si ishte situata motra deklaron se: “Kishte oksigjenin, kollën nuk e dëgjova në fakt. Ditën që më mori në ambulancë ishte edhe një infermiere me të. Mirë i thashë po rrimë në kontakt bashkë. Pas atij momenti njoftova edhe vëllain tjetër, dhe pastaj edhe një shoqen time. Më tha edhe që do i jap doktoreshës numrin tënd për konsultime. Atij i dukej sikur nuk i bëhej shërbimi nga infermierët. Në tualet shkonte vetë, nuk është se ishte në shtrat. Më tha edhe që këtu duan vetëm lekë më shohin për lekë. i thashë sa lekë ke? Ai më tha kam 80 apo 90 mijë lekë shqiptare me vete. Unë i thashë jepja se t’i nis motra urgjent”.

Ndërkaq vëllai i Leonardit deklaron se: “Të shtunën në drekë e kanë marrë me ambulancë, ka shkuar nga Lezha në “Shefqet Ndroqi”, se çfarë kure i kanë dhënë ne nuk dimë asnjë lloj gjëje. Ne nuk këna nevojë me rrejt, vëllai ka qenë shumë i qetë, jo me nerva. Se kura që mori në Shkodër ishte shumë e mirë, atje i bënë trajtim të mirë”.

Ish-bashkëshortja e tij Irena tregon se “Nuk ishte i sëmurë për të pasur frikë se do vdiste. Djemtë e mi ishin të revoltuar nga veprimi i të atit se pse shkoi në spital kur nuk ishte për spital. Ai ka pasur kollë. Pasojat e burgut i ka pasur jo vetëm në tru por dhe në trup. Ka pasur probleme me mushkëritë”.
Shtuar më 02/12/2020, ora 14:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori