Këta janë 100 politikanët me kriminelë të shekullit (FOTO LAJM)

Adolf Hitler, kancelari nazist i Gjermanise
Pëlqej
Shekulli që e lamë pas ka shënuar revolucione, si ai ekonomik dhe revolucion edhe në shkencë.

Mirëpo, ky shekull që lamë pas ka rritur edhe njerëz që përmes pushtetit shkaktuan krimet më të mëdha të njerëzimit, shkruan Tirana Observer.

Njerëzit që janë renditur më poshtë do të kujtohen brez pas brezi si persona që kanë vrarë dhe masakruar njerëz të pafajshëm me regjimet e tyre diktatoriale.

Ja cilët janë personat që kanë kryer krime përmes pushtetit të tyre

Anastasio Somoza Debayle ishte president i Nikaraguas prej dy mandatash, nga viti 1967 deri në vitin 1979. Megjithëse nuk ka të dhëna të sakta për viktimat gjatë regjimit të tij diktatorial, Debayle mbahet përgjegjës për të paktën 50 mijë të vrarë gjatë “revolucionit” nikaraguan dhe për 120 mijë të arratisur nga vendi.

Augusto Pinoçet ishte një gjeneral ushtarak, por që e qeverisi Kilin si diktator, nga 11 shtatori 1973 deri në mars të 1990. Ai është përgjegjës për vrasjen e 3 197 njerëzve dhe burgosjen e shumë të tjerëve, krime që ai i ka bërë gjatë regjimit të tij diktatorial. Në vitin 1988 regjimi i tij mori fund pas një referendumi popullor.

Benito Musolini, diktatori italian i cili e futi Italinë nën një regjim fashist nga viti 1922 deri në 1943. Ai akuzohet se gjatë 11 viteve të regjimit të tij janë vrarë mbi 400 mijë italianë dhe mbi 30 mijë etiopianë, të cilët janë vrarë gjatë pushtimit të Etiopisë nga Italia.

Elie Hobeika ishte komandant i “Forcave Libaneze”, një ushtri që financohej nga Siria libanezi gjatë viteve 70-80. Elie Hobeika është akuzuar se ka urdhëruar për masakrat e kryera në dy kampe refugjatësh në Liban, ku janë vrarë 1700 gra dhe fëmijë palestinezë.

Gjithashtu ai është edhe autor i shumë vrasjeve të popullsisë së pafajshme gjatë luftës civile në Liban, por edhe të kundërshtarëve të tij politikë.

Enver Hoxha, i sh udhëheqësi i Shqipërisë nga viti 1945 deri në vitin 1985. Ai akuzohet se gjatë regjimit të tij janë vrarë, zhdukur dhe internuar mijëra njerëz në Shqipëri. Enver Hoxha është cilësuar edhe si një nga diktatorët më të egër të shekullit të kaluar.

Ferdinand Marcos ish presidenti i Filipineve, për të cilin thuhet se nuk ka shifra të sakta por vrasjet mund të jenë me mijëra, ndërsa arrestimet burgosjet dhe internimet kishin qenë desert për të.

Francisco Franco Bahamonde, diktatori i Spanjës, i vënë në krye të shtetit më 29 shtator 1936, akuzohet se me trupat e tij nacionaliste ka shkaktuar vdekjen e mbi 500 mijë vetëve gjatë Luftës Civile të Spanjës. I ndihmuar nga Hitleri dhe Duçja, Franko fitoi luftën pa kushte pas 3 vitesh, më 1 prill të 1939-ës.

François Duvalier u zgjodh president i Haitit më 22 shtator të vitit 1957. I vetëshpallur president për jetë i Haitit, Duvalier vendosi një regjim të përqendruar në Haiti, dhe së bashku me djalin e tij, të cilin e shpalli pasardhës të kreut të shtetit, Duvalier akuzohet të ketë vrarë 20-60 mijë njerëz.

Haji Mohammad Soeharto shërbeu si ushtarak në luftën për pavarësi të Indonezisë, por kulmi i karrierës së tij ishte emërimi si president në vitin 1967, post të cilin e mbajti gjer në vitin 1998. Regjimi i tij u shoqërua me spastrime politike dhe me vdekjen e mbi dy milionë njerëzve, sidomos komunistë indonezianë dhe kinezo-indonezianë.

Hermann Goring, komandant i ushtrisë gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ministri i Aviacionit Gjerman, Hermann Goring është shpallur fajtor për vrasjen e miliona njerëzve. I cilësuar si një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX, ai është përgjegjës edhe për zhdukjen e miliona hebrenjve, kjo pasi ai është autori i organizimit të eliminimit të tyre.

Idi Amin, i cilësuar si “Kasapi i Afrikës”, është akuzuar për vrasjen e rreth 300 mijë njerëzve. I lindur në vitin 1923, në veri të Ugandës, dhe i rritur mes tensionesh të grupeve etnike në vendin e tij, Idi Amin u ngjit në krye të Ugandës në janar të vitit 1971 me anë të një grushti shteti.

Ion Antonescu ishte kryetar i Rumanisë në vitet 1940-1944. Ai është përgjegjës për vrasjen e 300 mijë e hebrenjve në Rumani si dhe të 500 mijë ushtarëve rumunë, të cilët vdiqën gjatë betejës së Stalingradit në Rusi. Ion Antonescu ishte një nga gjeneralët më të famshëm në Rumani.

Joseph Stalin është një nga diktatorët më të egër dhe një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX. Stalin është përgjegjës për vrasjen e gati 30 milionë njerëzve, shumica e të cilëve bashkëpatriotë të tij, si dhe burgosjen e miliona të tjerëve. I ardhur në fuqi pas vdekjes së Leninit, në vitin 1928, Stalini zhduku të gjithë kundërshtarët e tij politikë.

Joseph Goebbels, ministri i Propagandës i Gjermanisë naziste, Goebbels është përgjegjës për vrasjen e 46 milionë njerëzve, dhe për këtë është cilësuar si një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX. Goebbels ishte personi që udhëhoqi propagandën e partisë naziste të Hilerit, duke bërë që partia e tyre të fitonte zgjedhjet në vitin 1933.

Josef Mengele, mjeku gjerman i kampit nazist të Aushvicit, është cilësuar si një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX, madje është quajtur edhe “Engjëlli i vdekjes”. Kjo për shkak të eksperimenteve vdekjeprurëse që ai kryente me çifutët e burgosur në Aushvic.

Jorge Videla, ishte një gjeneral argjentinas, diktator dhe president i vendit nga viti 1976 deri në vitin 1981. Videla është cilësuar si një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të XX dhe është akuzuar për vrasjen e 30 mijë njerëzve. Gjatë regjimit të tij ai u bë i njohur për dhunën dhe eliminimet që ai u bëri ndaj kundërshtarëve politikë.

Jose Efrain Ríos Montt, ose ndryshe “Gjenerali” akuzohet për vrasjen e rreth 70 mijë fshatarëve majanë dhe politikanëve disidentë në Guatemala. Ai u vu në krye të Guatemalës në vitin 1982, duke sunduar si diktator.

Kim Il Sung, kreu i Koresë së Veriut, i cilësuar si “Udhëheqësi i madh”, akuzohet si përgjegjës për vrasjen e 3 milionë njerëzve gjatë luftës civile të Koresë. Rreth 1 milion koreano-veriorë vdiqën nga uria gjatë regjimit të Kim Il Sung.
Në vitin 1950 ai nis sulmin ndaj Koresë së Jugut pa paralajmërim, luftë e cila përfundoi në vitin 1953. Sipas të dhënave, mbi 2 milionë civilë u vranë, ndërsa shënohen rreth 317 mijë ushtarakë të vrarë, 304 mijë të plagosur dhe 102 mijë të zhdukur në luftë.

Mbreti Leopold II i Belgjikës, i cili u vendos si sovran i Kongos në vitin 1885, akuzohet për vrasjen e 15 milionë kongolezëve. Monarku i Belgjikës, duke shtuar skllavërinë në Kongo, provokoi revolta të shumta të fiseve kongoleze, të cilat u shtypën me ashpërsi.

Mao Tse-Tung, ose “Timonieri i madh” i Kinës, akuzohet se është përgjegjës për vdekjen e 14-20 milionë njerëzve nga uria gjatë “Kapërcimit të madh përpara”. Plus këtyre, shtohen edhe dhjetëra mijëra të vrarë dhe miliona jetë të shkatërruara gjatë “Revolucionit Kulturor” në Kinë.

Ne Win, “Babai i madh” erdhi në pushtet në vitin 1962 me anë të një grushti shteti. Kreu i Burmës e mbajti regjimin e tij diktatorial deri në vitin 1988. Rreth 3-10 mijë të vrarë janë regjistruar në të ashtuquajturën “Demokracia e Pranverës”, protesta të mëdha të drejtuara nga studentë ndaj regjimit militar.

Nicolae Andruta Ceausescu, i quajtur “Gjeniu i Karpateve”, kreu i Rumanisë akuzohet për vrasjen e rreth 5 mijë njerëzve gjatë revolucionit të vitit 1989 që e përmbysi Ceausescu-n. Ndërkohë në listën e vrasjeve shtohen edhe me mijëra vdekje gjatë viteve’80, të shkaktuara nga privimet e regjimit, të cilin ai drejtoi.

Pol Pot, ishte drejtues i Partisë komuniste në Kamboxhia (Khmer Rouge) dhe kryeministër nga viti 1976-1979. Gjatë kohës së regjimit të tij diktatorial janë vrarë mbi 3 milionë kamboxhianë. Sipas të dhënave, në një qendër ku mbaheshin njerëz të arrestuar, janë torturuar dhe ekzekutuar rreth 15 mijë “elementë antiparti”, ku përfshiheshin edhe gra e fëmijë.

Prince japonez, Yasuhiko Asaka, i cilësuar si orkestruesi i masakrës së Nanjing, ku u vranë 200 -350 mijë civilë kinezë dhe ushtarë të dorëzuar. Robërit kinezë u torturuan, u dogjën të gjallë, u vranë me bajoneta në formë masive. Maskara ndodhi në vitin 1937, gjatë luftës së dytë kino-japoneze.

Radovan Karazhic, politikani serbo-boshnjak është akuzuar për vrasjen e 20 mijë njerëzve gjatë luftës në Bosnje – Hercegovinë në vitet 1992-1995. I shpallur president i republikës serbe të Bosnje-Hercegovinës në vitin 1992, Radovan Karadzic akuzohet se ka urdhëruar gjatë luftës së Bosnje- Hercegovinës spastrimin etnik të myslimanëve boshnjakë.

Rafael Trujillo, president i Republikës Domenikane nga viti 1930 deri në vitin 1961, akuzohet për vrasjen e rreth 20 mijë haitianëve në vitin 1937. Kësaj i shtohet edhe një listë e madhe e disidentëve domenikianë dhe figura të opozitës, të vrarë gjatë regjimit të tij 31-vjeçar.

Ratko Mladiç, gjenerali serbo-boshnjak është ndoshta ndër vrasësit më të fundit të shekullit të XX. Ai është akuzuar për vrasjen e 8100 myslimanëve boshnjakë gjatë luftës në Bosnje-Hercegovinë në vitet 1992-1995, si dhe 10 mijë boshnjakëve të tjerë.

Sadam Hysein, ish-diktatori irakian është cilësuar si një nga vrasësit më të mëdhenj të shekullit të kaluar. Ai është akuzuar se gjatë regjimit diktatorial në Irak ka vrarë me mijëra njerëz, ndër ta shumë kurdë dhe shitë. Gjatë regjimit të tij diktatorial, Sadami eliminoi të gjithë kundërshtarët e tij politikë.

Sllobodan Millosheviç, i quajtur ndryshe si “Kasapi i Ballkanit”, është përgjegjës për vrasjen e 230 mijë njerëzve dhe shpërnguljen e nga trojet e tyre e 3 milionë të tjerëve. Në vitin 1989, Millosheviç merr postin e Presidentit të Republikës së Serbisë, të cilin e mban deri në vitin 1997./albeu.com/
Shtuar më 12/09/2014, ora 15:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori