Kokainë, pastrim parash dhe evazion fiskal, nga Eldi Dizdari tek organizata “Fracascia”, si ishin ndarë “punët” e mafies italiane

Policia gjermane ditën e djeshme zhvilloi një megaoperacion kundër mafies italiane “Ndrangheta” në koordinim me autoritetet në Itali, Belgjikë, Francë, Spanjë, Rumani, Brazil dhe Panama.

Sipas gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), policia e përfshirë në operacionin ndërkombëtar ekzekutoi mbi 100 urdhër-arreste kundër të dyshuarve që besohet të jenë të përfshirë në trafikun e kokainës, pastrim parash dhe evazion fiskal, ndër të tjera.

Bastisjet erdhën pas pothuajse katër vjet hetimesh tepër sekrete ndaj organizatës mafioze kalabreze.

Për të trafikuar armët dhe kokainën ishin krijuar disa organizata. Shoqata e parë e rikonstruktuar ka të bëjë me familjen Nirta, “Versu” të San Luca, e cila kishte bazë në Brazil, e përfaqësuar nga i arratisuri Vincenzo Pasquino, i kapur në vitin 2021 së bashku me bosin e drogës, Rocco Morabito.

E dyta i përket familjes Mammoliti “Fischiante” të Bovalino me ‘nyje’ në Pulia, Abruzzo, Lazio, Toskana dhe Lombardi dhe që ka kontakte të drejtpërdrejta me furnizuesit amerikano-jugor të kokainës dhe me trafikantë ndërkombëtarë si Denis Matoshi (Eldi Dizdari), aktualisht i arratisur në Dubai.

Shoqata e tretë, i përket familjes Strangio “Fracascia” të lidhur me bandat Nirta-Strangio të përfshira në masakrën e Duisburgut të vitit 2007. Kjo organizatë e tretë, sipas hetuesve, kishte degë të qëndrueshme në Genk (Belgjikë), Mynih (Gjermani), Spanjë dhe Canberra (Australi).

Hetimi nisi në qershor 2019, falë lidhjes mes karabinierëve dhe policisë federale belge që po hetonin disa subjekte që besohej se ishin pranë bandës Nirta di San Luca aktive në Genk. Fillimisht, ajo ishte e orientuar drejt disa anëtarëve të familjes Strangio, të quajtur “Fracascia”, që i atribuohen klanit Nirta. Gradualisht ato u shtrinë në familje të ndryshme të zonës së Lokridit, duke përfshirë edhe restorantin Bianco. Paratë e trafikut të drogës pastroheshin në sektorin e restoranteve, turizmit dhe pasurive të paluajtshme.

Grupet e trafikut të kokainës do të pastronin rreth 22.3 mln euro, të gjitha këto të ardhura nga krimi.

Milionat euro të ‘Ndrangheta-s do të ripërdoreshin pjesërisht për blerjen e makinave dhe mallrave luksoze, si dhe do të përdoreshin për të filluar dhe financuar aktivitete tregtare në Francë, Portugali dhe Gjermani./Albeu.com.


Shtuar 4.05.2023 08:24