40 orë nën rrënoja, flet e mbijetuara e tërmetit në Turqi: Djemtë dhe burri vdiqën para syve të mi, të më gjendet vajza

Çiğdem Güler, 45 vjeç, është e mbijetuar e tërmetit në Turqi. Ajo u shpëtua 40 orë pas tërmetit, ndësa burri i saj dhe dy djemtë nuk ia dolën dot.

Ajo ka folur për herë të parë, ku ka thënë se vajza e saj është zhdukur dhe lutet që të gjendet shëndoshë e mirë.

“Jam e plagosur, por zemra më dhemb më shumë. Operacioni im nuk është problem, unë ngrihem, por fëmijët ikën, burri im iku. Ata vdiqën pranë meje. Tani dua vetëm të gjendet vajza ime.”

Vajza e saj Nevin Güler, 21 vjeç, u shtrua në klinikën psikiatrike të Spitalit Shtetëror të Antakyas një javë para tërmetit.

E mbijetuara, e cila u operua për shkak të thyerjes së kofshës, foli gjithashtu për përjetimet pas tërmetit

“Ishte një moment shumë i vështirë. Kam humbur burrin dhe 2 djemtë në tërmet, nuk e gjejmë vajzën time, ajo është e zhdukur. Vajza ime ishte në spital në momentin e tërmetit, nuk ishte në shtëpi. Vajza ime quhej Nevin Güler, ajo ishte shtruar në spitalin e vjetër shtetëror të Hatay Antakya, sepse dajat e saj ishin aty, i kishte pranë gjithmonë. Shpresoj që ajo të gjendet e gjallë”./albeu.com


Shtuar 18.02.2023 17:30