Terrorizmi iranian është një kërcënim për çdo vend dhe ai duhet të ndalet

Nga Eli Cohen “Daily Telegraph

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Gjatë viteve të fundit, urrejtja e regjimit iranian të Ajatollahut ndaj Izraelit, dhe thirrjet e përsëritura nga udhëheqësit e tij për shkatërrimin e Izraelit, të shoqëruara shpeshherë me shprehje të ashpra antisemite dhe mohim të Holokaustit, janë ekspozuar shumë në mediat ndërkombëtare.

Megjithatë nuk ka qenë gjithmonë kështu, ndaj nuk mund të shihet si një dukuri normale edhe në lidhje me marrëdhëniet e brendshme brenda Lindjes së Mesme. Deri në vitin 1979, Izraeli dhe Irani kishin raporte diplomatike normale madje të ngrohta.

Të dyja vendet nuk ndajnë një kufi midis tyre, dhe midis kombeve nuk ka ndonjë armiqësi. Përkundrazi një vlerësim të ndërsjellë midis dy kulturave dhe popujve të Lindjes së Mesme që janë mijëravjeçare. Një nga shprehjet e vlerësimit mes popujve është miqësia mes sportistëve izraelitë dhe iranianë, të cilët u detyruan të largoheshin nga atdheu për shkak të marrëdhënieve me kolegët izraelitë.

Për më tepër, Mahsa Amini së bashku me të gjitha gratë iraniane që luftuan kundër sundimit të Ajatollahut morën mbështetje të madhe nga izraelitët. Në Izrael, burra dhe gra dolën në rrugë në përkujtim të luftës së Aminit kundër Ligjit të Hixhabit në Iran.

Madje, Ministria e Jashtme izraelite e përkujtoi enkas në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gruas këtë viti. Fotoja e Aminit u shfaq në ndërtesën e ministrisë së bashku me mesazhe në gjuhën perse. Pika e thyerjes në marrëdhëniet mes dy vendeve ishte Revolucioni Islamik. Që atëherë, regjimi i Ajatollahut i Iranit ka pasur politika agresive dhe të dhunshme anti-izraelite dhe anti-semite.

Ai ka financuar aktet terroriste, ka bërë thirrje për zhdukjen e shtetit të Izraelit dhe është përpjekur vazhdimisht të pajiset me armë të shkatërrimit në masë që do ta lejojnë regjimin ekstremist të zbatojë planin e tij të spastrimit etnik të hebrenjve nga Lindja e Mesme.

Edhe për shkak të përvojave të hidhura të së kaluarës, Izraeli është i detyruar që t’i marrë seriozisht këto kërcënime. Gjurmët e Gardës Revolucionare Islamike iraniane janë në të gjithë Lindjen e Mesme, si dhe në Azi, Evropë dhe Amerikë.

Terrorizmi i saj arrin në Liban përmes Hezbollahut, Gaza përmes Xhihadit Islamik Palestinez, Sirisë, Jemen etj. Irani është një regjim kanceroz. Ai zgjerohet dhe dëmton çdo vend ku arrin të depërtojë. Irani e minon sigurinë globale dhe kërcënon ekzistencën e shtetit të Izraelit. Nuk ka asnjë vend tjetër që të kërcënohet nga thirrjet publike të një vendi tjetër për shkatërrimin e tij, teksa synon zhvillimin e armëve bërthamore.

Prandaj, duhet të theksojmë një fakt shumë të rëndësishëm: ne nuk do të lejojmë kurrë që regjimi terrorist i Iranit në Teheran të arrijë të prodhojë vetë armë bërthamore. Ne jemi të vendosur dhe nuk do të ngurojmë të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për këtë qëllim.

Ne e kemi vërtetuar tashmë se jemi të aftë të arrijmë deri tek sekretet më të fshehura të Iranit, dhe unë e këshilloj regjimin e Ajatollahut që të mos i testojë aftësitë tona. Irani e përdor terrorizmin si një mjet kundër të gjithë atyre që qeveria iraniane i konsideron armiq: ndaj atyre që kundërshtojnë regjimin, gazetarëve, komunitetit LGBTQ, qytetarëve izraelitë dhe komuniteteve hebreje.

Kur Irani është i pasuksesshëm në përpjekjet e tij për të dëmtuar qytetarët izraelitë, ai e kthen zemërimin dhe dhunën e tij ndaj hebrenjve kudo nëpër botë. Dhe përveç kësaj, regjimi iranian po përpiqet të prodhojë armë bërthamore, të cilat do t’i japin mundësi të arrijë hegjemoninë rajonale dhe të kërcënojë ekzistencën e shtetit të Izraelit.

Deri më tani, përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të penguar synimin e Iranit për t’u pajisur me armë bërthamore nuk kanë qenë të frytshme, dhe qeveria iraniane po i shpërfill të gjitha normat ndërkombëtare. Ajo gënjen dhe keqinterpreton ato. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) publikoi kohët e fundit një raport që tregon se Irani kishte pasuruar uraniumin në një nivel pasurimi afër 90 për qind.

Duhet thënë me një ton të qartë dhe të ashpër: deri më tani, komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në trajtimin e sfidës serioze që paraqet për të regjimi aktual në Iran. Përpjekjet e ndryshme për të negociuar me Iranin, për të bërë lëshime gjithëpërfshirëse ndaj tij duke menduar se Teherani do të përmbushë detyrimet e tij, janë përballur vazhdimisht me një përgjigje cinike dhe agresive nga autoritetet iraniane, e cila është e dëmshme për rendin botëror.

Por pavarësisht dështimeve të deritanishme për të përballuar sfidat e paraqitura nga regjimi iranian, ka ende shpresë. Një qëndrim i vendosur ndërkombëtar kundër regjimit ekstremist iranian, presioni ekonomik dhe politik, si dhe një kërcënim i rëndësishëm dhe i besueshëm ushtarak, mund të sjellë një ndryshim në politikën iraniane, si nga jashtë po ashtu edhe nga brenda për qytetarët e tij.

Irani është në duart tona. Së bashku ne do të jemi në gjendje ta pengojmë regjimin e Ajatollahut që të zotërojë kapacitetet për të ndërtuar armë bërthamore. Së bashku ne do të jemi në gjendje ta demaskojmë Gardën Revolucionare Islamike për atë që është në të vërtetë: organizata më e madhe terroriste shtetërore në botë.

Dhe po së bashku, mund ta ndihmojmë popullin iranian të ketë lirinë që meriton. Unë u bëj thirrje vendeve të botës: Irani po e bën botën një vend më të rrezikshëm për të jetuar, dhe po i shkel sistematikisht të drejtat e njeriut. Mos e fshihni kokën në rërë si struci. Është koha për të vepruar. /albeu.com

Shënim:Eli Cohen është Ministër i Jashtëm i Izraelit.


Shtuar 26.06.2023 15:46

Tags: