Kampit iu vu flaka, mijëra emigrantë dalin në protestë
Mijëra emigrantë të pastrehë dolën sot në rrugë në ishullin grek të Lesbos duke kërkuar veprim nga autoritetet pas shkrumbimit të kampit më të madh në vend.

Protestuesit u mblodhën në rrugën kryesore drejt qytezës së Lesbos, ku u shkatërrua kampi i Morias. Protesta ishte kryesisht paqësore me brohoritje dhe këngë, ndërsa disa demonstrues mbanin pankarta ku kërkohej ndihmë nga BE dhe nga Gjermania në veçanti.

Ndërkohë ushtria greke ka nisur punën për ngritjen e akomodimit zëvendësues, edhe pse ish-rezidentët e Morias kundërshtojnë rindërtimin dhe kërkojne strehim të përhershëm.

Rreth 12,000 njerëz duke përfshirë gra e fëmijë kanë mbetur të pastrehë duke fjetur në rrugë pasi zjarri shkrumboi të gjitha strukturat të martën e të mërkurën.
Zyrtarët rekë thonë se zjarri u nis qëllimisht në protestë ndaj urdhrave të izolimit pas rezultimit pozitiv me koronavirus të 35 njerëzve.

Ish-rezidenti i kampit Freddy Musamba, nga Gambia, tha: “Kemi kaluar tre ditë këtu, pa ngrënë pa pirë. Jemi në kushte shumë të këqija. Dua t’i drejtohem Bashkimit Evropian që na ka braktisur, na ka lënë kështu, i bëjmë thirrje të na ndihmojë”.

Ndërkohë autoritetet greke kanë lejuar vetëm 406 adoleshentë të pashoqëruar të largohen nga ishulli për t’u strehuar përkohësisht në hotele dhe ambjente të tjera.

Organizatat e ndihmës kishin paralajmëruar për kushtet e rënda të kampit të mbipopulluar të Moria i cili kishte një kapacitet prej 2,750 njerëzish por strehonte rreth 12,500.

Shtuar më 12/09/2020, ora 20:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori