Osmani: S’kam plan të takohem me Vuçiçin, Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në margjinat e samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ka thënë se Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë në rajonin e Ballkanit dhe ka tendenca për të destabilizuar Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit.

“Ne si rajon dhe në veçanti si Kosovë, jemi përballë sfidave. Serbia vazhdimisht ka shërbyer si satelit i Rusisë në rajonin tonë, duke tentuar vazhdimisht për ta destabilizuar Kosovën, por edhe shtetet e tjera të rajonit. Unë jam këtu për të kërkuar përkrahjen e partnerëve tanë që t’i luftojmë këto tendenca destabilizuese”, tha ajo.

Osmani vlerësoi se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është i interesuar të përdorë bandat e tij kriminale për të destabilizuar Kosovën.

Megjithatë, ajo ka bërë të qartë se nuk ka planifikuar të takohet sot me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

Ajo ka theksuar se është e rëndësishme të koordinohet me aleatët që kanë qëndruar pranë Kosovës në momentet më të vështira, për të forcuar situatën dhe për të parandaluar destabilizimin e rajonit.

Presidentja Osmani ka njoftuar se do të zhvillojë takime me kancelarin gjerman Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron, si dhe me liderët e tjerë evropianë gjatë samitit.