Tenderat, 25 operatorë të përjashtuar nga pjesëmarrja për shkak të shkeljeve

Të paktën 25 kompani janë të përjashtuara aktualisht nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit.

Lista e publikuar në bazë javore me çdo buletin të Agjencisë së Prokurimit Publik tregon se vetën në dhjetor janë përjashtuar tre kompani ndërkohë që më herët në nëntor ishin edhe dy të tjera. Lista me 25 operatorë ekonomikë i përjashton këta të fundit për afate të ndryshme duke nisur nga 5 muaj deri në 29 muaj.

Bizneset e “listës së zezë” përfshijnë periudha përjashtimi nga viti 2020 deri në fund të këtij viti. Vetëm për 2022 janë të paktën 21 kompani të përjashtuara nga e drejta për të marrë pjesë në garat publike të zhvilluara nga autoritetet kontraktore.

Kuadri ligjor lejon përjashtimin nga tenderët publikë të operatorëve ekonomikë në afate të ndryshme që variojnë nga 3 muaj në 3 vjet dhe kjo bëhet nga APP pas sinjalizimeve që merren.

Edhe më herët APP ne përmbledhjen vjetore të aktivitetit të saj ka nënvizuar se vendimet për përjashtim merren pas analizimit të raporteve të auditimit të vetë agjencisë ose ose si rezultat i propozimeve të autoriteteve kontraktore, operatorëve ekonomikë, organeve të tjera audituese në ushtrim të funksioneve të tyre, të cilët kërkojnë përjashtimin e operatorëve ekonomikë nga e drejta për të ofertuar në procedura prokurimi publik apo procedura ankandi publik, për një periudhë të caktuar kohore.

Shkak për përjashtimet kryesisht bëhen keqinformimit dhe paraqitja në tender e dokumenteve që përmbajnë të dhëna të rreme, sipas përcaktimeve që bëhen në ligjin respektiv të prokurimeve.

Në të tjerë raste operatorët mund të jenë përjashtuar pasi kanë keqinformuar për qëllime kualifikimi, autoritetin kontraktor dhe në të tjera shkak është keqinformimi duke paraqitur dokumentacion me të dhëna të rreme për qëllime kualifikimi.

Vetëm vitin e shkuar APP mori në shqyrtim 80 kërkesa për përjashtim ku dominonte keqinformimi ndërkohë që nuk mungonin edhe rastet e mospërmbushjes së detyrimeve kontraktuale apo të veprimeve korruptive.


Shtuar 28.12.2022 12:49