Tërmeti tragjik, Maroku pranon me rezerva ndihmat

Ministria e Brendshme e Marokut bëri të ditur, se “kemi reaguar ndaj ofertës për mbështetje nga vendet mike, Spanja, Katari, Britania e Madhe dhe Emiratet e Bashkuara” dhe falënderon të gjitha shtetet që kanë ofruar ndihma pas tërmetit të rëndë të shtunën në Marok. Autoritetet e Marokut shprehen, se “është bërë një vlerësim i kujdesshëm i nevojës në terren”. “Nëse kjo nevojë do të ndryshojë”, do të merren parasysh oferta të tjera.

Organizata Gjermane e Ndihmës Teknike, THW, i ktheu paraprakisht punonjësit e saj në shtëpi. Ata qëndronin të gatshëm në aeroportin e Köln/Bonnit për misionin në Marok.

Ndihmësit vazhdojnë të kërkojnë me intensitet për të lënduar nën rrënoja, nganjëherë thjesht edhe me dorë. Ekspertët bëjnë fjalë për një hapësirë 72 orë për të gjetur gjallë të mbuluarit nga rrënojat. Kaq gjatë mund të durojë dikush pa ujë, sipas një vlere orientuese.

Sipas të dhënave zyrtare kanë humbur jetën më shumë se 2.100 vetë pas tërmetit në Marok dhe të paktën janë regjistruar 2400 të lënduar. Pritet që numri i viktimave të rritet. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë më shumë se 300.000 vetë janë prekur nga pasojat e tërmetit në Marrakesh dhe zonat përreth.

Mbreti Mohamed VI shpalli tre ditë zie kombëtare. Tërmeti 6,8 ballë goditi natën e së shtunës në malësitë e Atlasit, 70 km në jug të Marrakeshit. Që atëherë ka pasur shumë tërmete të vogla pasuese.


Shtuar 11.09.2023 08:59

Tags: ,