U dhunua në azil, avokati tregon raportin mjekësor për të moshuarën: U dogj në këmbë dhe u godit me sende të forta

Në nëntor të këtij viti qytetarët e vendit u tronditën nga një ngjarje e rëndë që ndodhi në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë, ku një infermiere sulmoi fizikisht një grua të moshuar.

E avokati i familjes së të moshuarës që është sulmuar fizikisht nga infermieret në Pejë, bëri të ditur se sipas raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, e moshuara është djegur-përvëluar në këmbë brenda shtëpisë “Orenda”.

Meshari Selimaj për KosovaPress deklaroi se për plagën në shputën e këmbës së të moshuarës, që nga fillimi kanë dyshuar që është djegie, por siç potencoi ai, është kundërshtuar nga “Orenda”.

Sipas Selimajt, nga shtëpia e të moshuarve është mohuar një gjë e tillë, duke thënë se e moshuara ka sëmundje dhe se nuk është djegie.

Avokati Selimaj për KosovaPress potencoi se nga konstatimet e bëra të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, janë vërtetur pretendimet se bëhet fjalë për djegie lëkurore në këmbën e majtë të të dëmtuarës, “përkatësisht përvëlim të shkaktuar si pasojë e veprimit lokal termik të temperaturës së lartë, siç mund të jenë lëngjet e nxehura, dëmtime këto të konstatuara dhe trajtuara më datën 04.11.2022 dhe 08.11.2022, e të cilat vërtetohet se janë shkaktuar rreth 7-14 ditë më përpara”.

Avokati i familjes së të moshuarës, shtoi se gjithashtu janë konstatuar gjakmbledhje nënlëkurore, gërvishtje dhe dermishje lëkurore, të shkaktuara nga veprimit mekanik i mjetit të fortë ose përplasjes së trupit në ndonjë objekt të fortë.

“Ky raport i hedhë poshtë të gjitha pretendimet e shtëpisë ‘Orenda’ dhe tentimin e saj për ta shfajësuar veten dhe deleguar fajin vetëm tek infermieret”, shtoi Selimaj për KosovaPress.

KosovaPress kontaktoi shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë për këtë çështje, por nuk mori përgjigje.

Ndryshe, sulmi fizik ndaj të moshuarës në Pejë ka ndodhur më 2 nëntor. Tri infermiereve të dyshuara për dhunimin e të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë fillimisht u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Të pandehurat A.P, A.R dhe R.K, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”.

Gjykata Supreme, më 25 nëntor i ka liruar nga paraburgimi tri infermieret e dyshuara për sulm fizik ndaj të moshuarës në Pejë.

Lidhur me këtë rast, ka pasur reagime të shumta, si dhe protesta, derisa shtëpisë së të moshuarve “Orenda”, ku ka ndodhur sulmi i është hequr licenca./kp


Shtuar 16.12.2022 23:04