Samit dhe protestë, BE: Të garantohet siguria, por të respektohen dhe liritë e qytetarëve

Bashkimi Europian e konsideron protestën e thirrur nga opozita në 6 dhjetor si një ushtrim i lirive të ligjshme të qytetarëve, që duhet të respektohet nga autoritetet pavarësisht se në të njëjtën ditë zhvillohet në Tiranë samiti BE-Ballkani Perëndimor. Në një prononcim për A2 CNN, Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë shpjegoi se presin garantimin e sigurisë së samitit nga autoritetet shqiptare, duke respektuar njëkohësisht protestën e opozitës.

“Kjo është hera e parë që samiti BE-Ballkani Perëndimor mbahet në rajon, duke i dërguar një mesazh të fortë Shqipërisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor për rëndësinë e tyre gjeostrategjike për BE-në. Ne kemi besim se, si mikpritës, autoritetet publike shqiptare do të sigurojnë zhvillimin e sigurt dhe të rregullt të samitit, duke respektuar ushtrimin e ligjshëm të lirive nga qytetarët,”- shkruhet në reagim.

Më 6 dhjetor, Tirana do të presë liderët e vendeve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor së bashku me drejtuesit më të lartë të institucioneve të Brukselit. Samiti që bën bashkë krerët e kontinentit të vjetër do të mbahet në ambientet private të Arenës Kombëtare. Në të njëjtën ditë, Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha ka thërritur një protestë kombëtare. Kryedemokrati ka deklaruar se protesta do të jetë e qetë dhe paqësore. Protestën e thirrur nga Berisha e ka mbështetur dhe aleati i tij në opozitë kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta. Ndërkohë kjo protestë duket se do të ‘përçajë’ edhe më tej opozitën pasi kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë. Policia nuk i ka dhënë leje për këtë protestë, duke e konsideruar të rrezikshme.